Një grup prokurorësh në vend kanë dalë kundër vendimit të KLP-së që lidhet me transferimet pas ristrukturimit të institucioneve të akuzë për shkak të hartës së re gjyqësore që hyn në fuqi më 1 maj.

Prokurorët pretendojnë se ky është vendim favorizues për disa prej kolegë të tyre dhe paralajmërojnë se do t’i drejtohen gjykatës me padi, duke goditur në rrugë gjyqësore vendimin e KLP-së.

REAGIMI I PROKUROREVE
REAGIM I PROKURORËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Po ju drejtohemi me këtë reagim, në cilësinë e prokurorëve pranë zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në të gjithë Republikën e Shqipërisë, lidhur me një vendimmarrje të KLP-së, njoftuar për shtypin në faqen online të saj, më datë 24.04.2023, që ka të bëjë me transferimin e përhershëm të prokurorëve nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallëve të Para që përthithen për efekt ristrukturimi (pika 9 e Njoftimit për Shtyp, datë 24.04.2023).

Pas njohjes me këtë njoftim dhe regjistrimin audio të seancës plenare të datës 24.04.2023, kemi konstatuar se,
ndër të tjera, KLP ka vendosur transferimin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të prokurorëve të komanduar/transferuar përkohësisht në organe të drejtësisë apo zyra të tjera prokurorie, të ndryshme nga ato ku kanë caktimin e përhershëm, me justifikimin se pozicionet e tyre të përhershme do të suprimohen për shkak të ristrukturimit si pasojë e hartës gjyqësore, që hyn në fuqi më datë 01.05.2023. Pra, sipas këtij vendimi, ata prokurorë që kanë caktimin e përhershëm në zyra prokurorie që përthithen dhe që aktualisht janë të komanduar/transferuar përkohësisht në organe/zyra të tjera prokurorie, tashmë transferohen automatikisht në mënyrë të përhershme në Tiranë, sipas zgjedhjes së tyre, dhe jo në zyrat e prokurorive që përthithin zyrat ku ata kanë caktimin e përhershëm, sikurse do të bëhet për prokurorët e tjerë në ato zyra. Përsa më lart, shprehim rezerva ndaj këtij vendimi, duke mbajtur qëndrimin se ai nuk është në përputhje me parimet e ligjshmërisë, barazisë, objektivitetit dhe transparencës në zhvillimin e karrierës së prokurorëve, në kuadër të qasjes së re të kërkuar nga ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi.

Trupa e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë pret një proces të drejtë të zhvillimit në karrierë, nëpërmjet mekanizmave ligjorë të lëvizjeve paralele dhe rotacioneve periodike, të cilat kanë munguar për një kohë të gjatë në sistemin prokurorial, kryesisht, për shkak të vakancave të krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të tyre. Mirëpo, bllokimi për një kohë të gjatë i vendeve vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të cilësuara si zyra karriere (Tiranë, Durrës, Elbasan), si dhe zënia e një pjesë të tyre nëpërmjet procedurave të tilla, vendos në pozita të pabarabarta dhe dekurajuese prokurorët, të cilët kanë treguar mirëkuptimin e deritanishëm për këtë situatë, e që kanë krijuar gjithsesi një pritshmëri legjitime për një proces transparent dhe të drejtë të zhvillimit të tyre në karrierë. Gjithashtu, deri në publikimin e vendimit të plotë, si dhe njohjen me relacionin shpjegues të tij, të cilët çmojmë se duhet t’i nënshtrohen rishqyrtimit nga ana juaj ose kontrollit gjyqësor, kërkojmë transparancë më të plotë edhe për procese të tjera me rëndësi për prokurorët, sikurse janë transferimet e përkohshme në nivel apeli apo drejtues prokurorie, si dhe lëvizjet paralele për pozicionet vakante të shpallura së fundmi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në mënyrë që edhe këto procese të mos shoqërohen në vijim me rezerva të tjera. Njëkohësisht, vlerësojmë se nisja sa më shpejt e procedurave të lëvizjeve paralele për të gjithë pozicionet vakante në sistemin prokurorial, në përputhje me nenin 43 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, është domosdoshmëri për sigurimin e zhvillimit të karrierës së prokurorëve. Vetëm në këtë mënyrë do të garantohej një promovim transparent dhe i drejtë i tyre, sikurse është konceptuar nga Reforma në Drejtësi. Duke shpresuar në marrjen në konsideratë të kërkesave të mësipërme,

Prokurorët e Republikës së Shqipërisë
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: