Një listë me emra prokurorësh e gjyqtarësh për shkarkim duket se do të jetë gati në kohën kur drafti i Reformës në Drejtësi të hyjë në fuqi pas miratimit në Parlament. Prej më se një muaji, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ka nisur një hetim në lidhje me pasurinë e njerëzve të drejtësisë.

Gazeta “Panorama” ka mësuar nga burime të konfirmuara se prokurorët e vendit janë thirrur me radhë në zyrat e ILDKP­-së ku janë marrë në pyetje në lidhje me pasuritë që disponojnë në emrin e tyre. Sipas rendit alfabetik në listën emërore të prokurorëve, ata janë thirrur në zyrat e ILDKP-së njëri pas tjetrit.

Gjatë seancave të marrjes në pyetje në Inspektoriat, prokurorëve u është thënë se bëhet fjalë për një proces verifikimi paraprak. Burime të gazetës “Panorama” kanë thënë se nga ky verifikim nuk bën përjashtim asnjë prokuror. Pra, bëhet fjalë për një proces verifikimi mbi pasuritë e gjithë trupës së prokurorëve emër për emër.

HETIMI
Në ndryshim nga procedurat e zakonshme të më­ parshme, kur pas kontrollit formal të deklaratave të pasurisë ILDKP-­ja përzgjedh me short emrat e zyrtarëve për kontroll të thelluar, në rastin e
prokurorëve është vepruar ndryshe. Me synimin për të pasur një pasqyrë të qartë të situatës, bazuar edhe në informacionet mediatike, duket se ILDKP­ja ka vendosur verifikim total për pasuritë e prokurorëve. Banesa, makina, troje, llogari bankare, aktivitete në biznes e gjithçka tjetër që përbën pasuri, është verifikuar nga ILDKP­ja nëse ka qenë në emër të prokurorëve. Atyre u janë kërkuar fatura apo dokumente justifikuese në lidhje me pasuritë që janë gjetur në emër të tyre. Procesi i thirrjes së
prokurorëve për të dhënë sqarime në lidhje me pasuritë që disponojnë është duke vazhduar, pasi lista emërore nuk ka përfunduar ende. Megjithëse procedura është masive dhe e pandeshur më parë, prokurorët thonë se seancat e pyetjeve në Inspektoriat kanë qenë përgjithësisht korrekte dhe profesionale.

LISTA E REFORMËS
Besohet se në fund të kontrollit administrativ që po kryen ILDKP-­ja në lidhje me pasurinë e prokurorëve, do të ketë një listë me emrat problematikë. Në këtë listë do të zënë vend ata punonjës të akuzës që kanë pasuri të pajustifikuara me të ardhurat e tyre të ligjshme. Pikërisht emrat e kësaj liste duket se do të jenë të parët që do të largohen nga sistemi me hyrjen në fuqi të Reformës në Drejtësim, e cila është ende në fazën e diskutimit dhe të draftimit. Gjatë viteve të fundit, Inspektoriati i Kontrollit e Deklarimit të Pasurisë ka paditur disa gjyqtarë dhe prokurorë me akuzën për probleme me pasurinë. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: