Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Edi Ramës që të ulen dhe të firmosin për heqjen e ligjit për parashkrimit e kryeministrit.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë, Berisha tha se ligji mbron kryeministrin dhe ministrat e tij që të përballen me ligjin.

“Nuk e di nëse e keni marrë apo jo vesh, prokurorët kanë nisur të personalizohen njëri Damiani, njëri i Taulantit. Tani janë bërë me prokurorë SKAP-ist personal. S’ka ndodhur kurrë më parë. Është situatë dramatike. Të gjitha këto marrin përgjigje të shkëlqyer, të merituar në datën 14 maj ku qytetarët janë të vendosur, të gatshëm që të mbështesin opozitën dhe t’i japin një kthesë për mbarë vendit. Ka disa pr/ligje, por nuk kanë sjellë ligjin për Lustracionin, i cili në përputhje me standardet ndërkombëtare nuk lejon kandidimin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në asnjë funksion të lartë apo me zgjedhje. Natyrisht kjo është në Kushtetutë, por rikujtoj një moment.

Nëse më parë kundër këtij ligji kanë paraqitur pretekste absurde, por kushtetuese, tani s’ka asnjë pretekst. Në Kushtetutën e vendit, gjykatësit, prokurorët s’mund të jenë të tillë. Këto klauzola janë shkelmuar me të dyja këmbët. Tani ka një bazë solide kushtetuese, këtë e mban Linda e Parlamentit. Ajo e merr urdhrin dhe s’e ka sjellë. Ligji ka 6 muaj që pret në sirtarët e Kuvendit, do e denoncojmë me forcën më të madhe. S’sjell amendamentin për heqjen e të drejtës për parashkrimin e kryeministrit. I them Ramës; bëhu burrë dhe ta bëjmë këtë nen, ta firmosim! Nuk do ulemi në një tavolinë, por ta firmos unë dhe pastaj ti. Por nëse nuk e firmos, do jetë neni i parë që do të firmos PD kur të vijë në pushtet. Koha tregon se është jetike për të ndëshkuar hajdutëritë e tmerrshme që iu bëhen shqiptarëve, nga ministrat dhe kryeministri. S’ka parashkrim për ta sepse ata përdorin të gjitha manovrimet që krimet e tyre të tejkalojnë parashkrimin. Jo! Kjo është e domosdoshme, ndaj dhe ne do të luftojmë që ky ligj të kalojë në Parlament. Ministrat që firmosin në kundërshtim me ligjin do të ndiqen nga drejtësia.”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e tij: 

Ligjet që kanë dorëzuar deputetët demokratë, ata i mbajnë në sirtar. Rezoluta për gjenocidin në Kosovë, ka mbi 9 muaj në parlament.
E mban në mënyrën më antiligjore dhe më antikushtetuese, kryetarja e parlamentit, Linda me urdhër të Edi Ramës.
Ky është një akt i pashembullt në histori.
Edi Rama me këtë qëndrim dëshmon se është një puthador, një vasal që zbaton urdhrat e Aleksandër Vuçiç.
Edhe njëherë, duhet t’u bëj shumë të qartë, se dokumente ndërkombëtare, se komisioni i krijuar për hetimn dhe shkaqet e krimeve në Luftën e Parë Botërore, i përcakton masakrat në Lumë, si një gjenocid i mirëfilltë.
Ultranacionalistët serbë janë të gatshëm t’i përsërisin nëse bota e qytetëruar nuk u vë një fre. Operacioni ‘Patkoi’ ishte operacioni më barbar i planifikuar ndonjëherë dhe që u zbatua në Kosovë.
Ndaj ne do insistojmë me të gjithë forcën tonë, për kalimin e rezolutës. Porti i Durrësit është afera më e madhe korruptive në Europë sot. Shkon të paktën 5 miliardë euro. Dhe mobilizon të gjithë shtetin e tij njëpartiak në funksion të kësaj afere.
E dëgjuat Presidentin e Republikës? Çfarë kuptuat nga vizita e tij në selinë e NATO-s? Kërkesën për të tërhequr NATO-n në aferën korruptive të spostimit të Portit të Durrësit në Porto Romano.
Unë këtu i deklaroj NATO-s, se kjo parti që ka qenë promotori i anëtarësimit të vendit në NATO, është e gatshme që t’i ofrojë NATO-s, çdo lehtësi në vend. Por e fton të ketë kujdes nga kjo organizatë politike mafioze. Që po transferon portin me qëllimin e vetëm për të plaçkitur të paktën 5 miliard euro me projekte me konto offshore.
Së fundmi, gjithçka në mbështetje të kandidatëve tanë të fitores. U kemi paraqitur kandidatë në mënyrën më transparente.
Kudo që shkon, e kemi ballin e hapur.
Por ata duan mbështetjen tuaj më të fuqishme çdo orë, çdo ditë që të ecim të sigurt drejt fitores.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb