Këshilli i Lartë i Prokurorisë , KLP ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë në lidhje me arrestimin dhe dënimin e ish-drejtorit t Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.

KLP shprehet se deklaratat e ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë mund të paragjykojnë procesin gjyqësor ndaj ish-drejtorit, kurse shton se çdo shkelje e çdo prokurori të Shqipërisë mund të denoncohet pranë Prokurorisë të Krimeve të Rënda.

Deklaratë për mediat e KLP:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni shtetëror i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Në ushtrim të kësaj detyre, ne ndjekim me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe të prokurorëve të veçantë.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë.

Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb