Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, i cili ka firmosur urdhrin e kontrollit të kryer në rezidencën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë mbrëmjen e sotme një deklaratë për shtyp nga Departamenti i Drejtësisë në Uashington DC.

Kjo është deklarata e tij e parë publike që kur agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në fillim të kësaj jave.

Garland tha se Departamenti i Drejtësisë paraqiti një mocion për të zhbllokuar një urdhër kërkimi dhe faturën e pronës në lidhje me kontrollin e pronës së Trump në Mar-a-Lago.

“Departamenti i Drejtësisë sapo ka paraqitur një mocion në distriktin jugor të Floridës për të zhbllokuar një urdhër kërkimi dhe faturën e pronës në lidhje me një kontroll të miratuar nga gjykata që FBI kreu në fillim të kësaj jave. Ky kontroll ishte një objekt i vendosur në Florida që i përkiste ish-presidenti”, tha Garland.

Ai shtoi se urdhri për kontrollin u autorizua nga një gjykatë federale.

“Urdhër kontrolli u autorizua nga një gjykatë federale. Kopjet e urdhër-arrestit dhe të faturës së pasurisë së FBI-së iu dhanë në ditën e kontrollit ish-këshilltarit të Presidentit i cili ishte në vend gjatë kontrollit”, u tha ai gazetarëve të enjten.

Prokurori i Përgjithshëm bëri me dije se të gjithë amerikanët kanë të drejtën e zbatimit të drejtë të ligjit dhe tha se pjesa më e madhe e punës së Departamentit të Drejtësisë bëhet jashtë syve të publikut për të mbrojtur integritetin e hetimeve.

“Qendrimi besnik ndaj shtetit të së drejtës është parimi themelor i Departamentit të Drejtësisë dhe i demokracisë sonë. Mbajtja e shtetit të së drejtës do të thotë zbatim i ligjit në mënyrë të barabartë, pa frikë apo favore,” tha ai.

Garland shtoi se këto janë parimet me të cilat funksionojnë zyrtarët në Departamentin e Drejtësisë.

“Pjesa më e madhe e punës sonë kryhet nga nevoja jashtë syve të publikut. Ne e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve dhe për të mbrojtur integritetin e hetimeve tona. Rregullat etike më pengojnë të jap detaje të mëtejshme rreth kontrolli i pronës së ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago”, tha ai.

Prokurori njoftoi se ishte ai që aprovoi personalisht vendimin për të kërkuar një urdhër që mundësonte që agjentët federal të FBI të kryenin kontrollin.

“Departamenti nuk e merr me lehtësi një vendim të tillë. Aty ku është e mundur, është praktikë standarde të kërkohen mjete më pak ndërhyrëse si një alternativë ndaj një kërkimi”, tha Garland.

Ai trajtoi gjithashtu edhe sulmet e pabaza ndaj agjentëve dhe prokurorëve të Departamentit të Drejtësisë, në vazhdën e kontrollit të Mar-a-Lago të hënën dhe një tentativë për të sulmuar zyrën në terren të FBI-së në Cincinnati të enjten.

“Unë nuk do të qëndroj në heshtje kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht. Burrat dhe gratë e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë janë nëpunës publikë të përkushtuar, patriotë. Çdo ditë, ata mbrojnë popullin amerikan nga krimi i dhunshëm, terrorizmi dhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë duke mbrojtur të drejtat tona civile. Ata e bëjnë këtë me sakrificë të madhe personale dhe rrezik për veten e tyre. Jam i nderuar të punoj përkrah tyre”, tha Garland.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: