TIRANË

Pak ditë pas shkresës së dërguar nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj për disa nga institucionet e drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë një udhëzim për të gjithë prokuroritë referuar situatës së krijuar nga koronavirusi.

Në këtë udhëzim përcaktohen masat procedurale që duhet të ndjekin prokuroritë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për sigurinë e personave të arrestuar apo dënimet alternative nga ato me burg.

Ky udhëzim i përgjithshëm ka për qëllim marrjen e disa masave proceduriale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm në funksion të parandalimit të përhapjes së coronavirusit COVID-19 në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Objekti i këtij udhëzimit të përgjithshëm është përcaktimi i masave procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm për shkak të situatës së krijuar nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19 dhe parandalimin e përhapjes së tij në IEVP.

Masat procedurale sipas fazave të procedimit penal

Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, vlerësojnë gjendjen, problematikën dhe nevojat e marrjes së masave procedurale në lidhje me ushtrimin e ndjekjes penale në njësitë administrative që mbulon prokuroria që ai/ajo drejton, si dhe në zbatim të kompetencave të parashikuara në ligj vendosin marrjen e masave procedurale për bërjen kujdes sipas fazave të procedimit penal, siç mund të jenë:

1. Në fazën e hetimeve paraprake, vlerësimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, në zbatim të kushteve dhe kritereve ligjore që garantojnë sigurinë e nevojshme personale të personit të arrestuar në flagrancë apo ndaluar ose të personit nën hetim, dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.

2. Në fazën e diskutimeve përfundimtare në gjykimet e themelit vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për të kërkuar caktimin e dënimeve alternative të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.

3. Në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale të formës së prerë, vlerësimin, nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjor për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri;

nëse plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit të ri.
Në zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e Prokurorive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb