Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, teksa ka raportuar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve, ka treguar të gjitha sfidat që përballet institucioni që ai drejton.

Ai tha se një pjesë e gjyqtarëve duhet të përballen me VETING-un, ndërsa hetimet dhe trajtimet kanë qenë më të pakta për shkak të pandemisë.

Çela bëri thirrje për bashkëpunim midis institucioneve, Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë. Ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me SPAK, që sipas tij, ka qenë i suksesshëm.

“Gjyqtarët duhet të përballen me VETING-un, ka gjëra që ndikojnë. Nëse do të shohim shifrat shohim që ka një rritje të shifrave të regjistruara dhe rritjes së personave në hetim. Nëse i referohemi pak muajve që nisëm zbatimin e kësaj qasje institucionale, rezultatet janë të mira. Sfida jonë është si do të përkthehet intensiteti i hetimeve dhe suksesin që do të kemi në çështjen që do të gjykohen. Ngelet për t’u parë viti 2021 dhe cila do të jetë suksesi. Nga kontaktet me Prokuroritë e rretheve, unë vlerësoj se ka probleme. Ka probleme se ndoshta qasja në një nivel vendor, nuk është e njëjta me atë qendror. Të gjitha, policia e shtetit, doganat, të ishin prioritete në agjencitë ligjzbatuese.

Në nivel lokal, ka nevojë për rikuperim në këtë aspekt. Duhet të intensifikohen masat, për të nxitur palët që të rrisin angazhimin e tyre për pastrimin e parave, apo sekuestrimin e astateve. Nëse këto nuk zgjidhen në nivel lokal, t’i trajtojmë në nivel qendror. Unë vlerësoj se bashkëpunimi me SPAK ka qenë shumë i mirë. Ne synojmë të maksimizojmë përpjekjet tona për të rritur koordinimin. Është gjetur gjuha e komunikimit. E cilësoj këtë si momentin fillestar. Ka qenë shqetësimi se ndarja, profilizimi, do të krijonte probleme, në fakt nuk ka krijuar probleme.

Ne arrijmë të analizojmë asistencën ndaj viktimave në nivel kombëtar. Mendoj që jemi atje ku duhet sa i përket çështjes së organizimit, niveli i masës ka qenë i kënaqshëm. Ne kemi programuar disa aktivitete në funksion të viktimave. Krimi mjedisor, dua të them shkurtimisht që keni të drejtë në atë që ngrini. Mungon sensibiliteti, sa i përket kësaj problematike. Ne i kemi kërkuar OSBE-së, të ndërtojmë protokolle për krimin mjedisor. E kemi vendosur këtë në objektivat tona”, u shpreh Çela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb