KOSOVË- Prokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë, Ali Rexha paralajmëroi se një rast i ngjashëm si në Kumanovë mund të përsëritet edhe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në një intervistë të shkurtër të dhënë për Radio Televizionin e Kosovës. Rexha sqaroi se i ka ardhur një kërkesë me shkrim nga ana e familjarëve të vrarëve në Kumanovë, për përsëritjen e autopsisë, pasi ata nuk i besojnë objektivitetit të institucioneve të Maqedoni.

“Sot më kanë ardhur nëntë kërkesa të familjarëve, të nëntë personave që kanë humbur jetën në rastin e Kumanovës, më 9 dhe 10 maj të këtij viti. Të gjithë këta persona kanë dhënë kërkesë me shkrim te unë, që me i dhënë urdhëresë departamentit të mjekësisë me i bërë autopsi edhe njëherë, për arsye se ata dyshojnë në objektivitetin e institucionit përkatës në Maqedoni”, theksoi Rexha.

Ai paralajmëroi se një rast i ngjashëm si në Kumanovë, por përgatitet që të ndodhë edhe në Kosovë, por informacione më të detajuara për vendin dhe kohën nuk dha, por thjeshtë tregoi se institucionet e shtetit janë në dijeni për disa lëvizje të këtij lloji.

“Unë po merrem me një rast më herët se që ka ndodhur në Kumanovë, me një rast shumë të rëndë që pritet me ndodh në Kosovë. Mirëpo jemi në vazhdën e hetimeve dhe nxjerrjes së provave materiale lidhur me ato. Ne si shtet ligjor do ta pengojmë atë vepër penale, mirëpo jemi duke përcjell se kush është i përfshirë në atë rast edhe çka po duan konkretisht të bëjnë”, theksoi Rexha.

Ai nuk bëri lidhjen direkte të këtij rasti që pritet të ndodh në Kosovë, me rastin e Kumanovës, por sipas tij, personat e përfshirë në Kumanovë, janë të njëjtit që po përgatisin një skenar të tillë edhe në Kosovë.

“Ky rast nuk lidhet me rastin e Kumanovës, por personat që janë të përfshirë në Kumanovë lidhen edhe me këtë rastin që është duke u zhvilluar në Kosovë”, tha Rexha.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb