Qyteti ukrainas i Buchas, është një nga qytetet që është goditur më ashpër nga ushtria ruse. Raportimet dhe të dhënat e ardhura nga ky qytete, me varret masive dhe kufomat e shtrira prej ditësh në rrugët e qytetit, kanë tronditur botën.

Prokurori i krimeve të luftës, Andrii Turbor është zotuar se do të bënte përgjegjës këdo që shkaktoi tmerret në Bucha, pavarësisht se sa kohë do t’i duhej për ta bërë një gjë të tillë. Deklarata e Turbor erdhi teksa ishte i pranishëm në hapjen e një varri masiv me 100 viktima, raportoi The Mirror.

“Pavarësisht se sa kohë duhet, koha nuk ka rëndësi, ne do t’i kapim ata që janë përgjegjës për vrasjen e këtyre njerëzve të pafajshëm. Kjo ishte një barbari e paimagjinueshme që rezultoi në vdekjen e kaq shumë njerëzve të pafajshëm, fëmijë, të moshuar, gra, civilë. Këta njerëz ishin ukrainas dhe unë jam një ukrainas, kjo është një çështje respekti personal për të bërë drejtësi për këta njerëz”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar vështirësinë e një pune të tillë, por shtoi se gjithçka është e pallogaritshme në krahasim me rëndësinë e kapjes së fajtorëve. Turbor bëri me dije gjithashtu se trupat ruse kishin vrarë aq shumë njerëz, sa detyruan familjarë dhe të afërm të tyre t’i varrosnin në varre masive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb