Nga KLODIANA LALA*

Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë dyshim, që tri shpërthimet që tronditën dje Tiranën, ku të paktën njëri prej tyre kishte në shënjestër familjarët e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, janë akte terroriste dhe janë kryer nga i njëjti grup i organizuar kriminal. Ndonëse tri ngjarjet u shënuan në harkun kohor të katër orëve, në tri zona të ndryshme të kryeqytetit, prokuroria po i heton në një dosje të vetme, për shkak të dyshimeve se është vepruar vetëm nga një grup, që ka pasur si qëllim përhapjen e terrorit dhe frikës në masë. Dyshimet shtohen, pasi në të tria ngjarjet, rezulton se është përdorur i njëjti mekanizëm, sa i përket mënyrës sesi ka vepruar grupi. Ndërsa eksplozivët, sipas prokurorisë janë aktivizuar me mekanizma të ndryshëm. Konkretisht, ai i vendosur në biznesin privat të babait të Ministrit Tahiri është aktivizuar me mekanizëm elektronik, në pallatin e zyrtarit të lartë të Policisë është aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës, ndërsa lënda shpërthyese që u zbulua në stacionin e autobusit do të aktivizohej me detonator elektrik.

Nga hetimet e para rezulton se, lënda eksplozive në farmacinë e babait të Tahirit është vendosur në motorin e kondicionerit të murit të jashtëm të godinës, nga një person që ecte me biçikletë. Personi trupvogël, i mbuluar me kapuç në kokë gjë që e bën të vështirë identifikimin e tij, është fiksuar nga kamerat e një byrektoreje, ngjitur me farmacinë, pamje filmike që ndodhen në duart e grupit të prokurorëve dhe po analizohen nga ekspertë të fushës.

Ndërkaq, ekspertët thanë se në të tria rastet, lënda shpërthyese është tritol i depove ushtarake shqiptare dhe jo eksploziv C4 i ardhur nga jashtë. Sasia e përdorur është 400 gramë në të gjitha ngjarjet, çka ngre dyshime se ka vepruar e njëjta dorë.

Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur hetimet për veprën penale ‘Vepra me qëllime terroriste’, pas dy shpërthimeve dhe një tentative për shpërthim me lëndë eksplozive, të ndodhura mëngjesin e së martës, dt.10.02.2015, në disa zona të Tiranës. Këto tri ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda”, – tha Albi Serani, këshilltar për mediat i prokurorit të Përgjithshëm. Në krye të grupit të hetimit janë prokurorët Besnik Muçi e Kudusi Shahu. Pista e vetme, e duket se më e forta e ngritur nga prokuroria, është ajo e akteve të pastra terroriste për përhapjen e panikut në popullatë.

Kontrolle në Durrës – Fushë-Krujë, 25 shoqërime në polici, shumica me precedentë

Të paktën 25 persona u shoqëruan në polici, pas ngjarjeve të rënda që shkaktuan jo pak panik në Tiranë e më gjerë. Burime nga policia thanë se të shoqëruarit janë kryesisht persona me precedentë penalë, të cilët dhanë alibinë e tyre, se ku ndodheshin në kohën kur në tri zona në Tiranë ndodhën shpërthimet, ndonëse njëri për fat mbeti në tentativë. Ndërkaq, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje rojet e disa bizneseve që ndodhen rreth e rrotull vendeve të ngjarjes. “Pavarësisht numrit të madh të personave të shoqëruar, ende nuk kemi një të dyshuar konkret, pasi secili prej tyre ka një alibi dhe mungesa e provave e bën të pamundur mbajtjen e tyre të ndaluar”, thanë burimet e policisë. Shoqërimet kanë vijuar edhe në orët e mbrëmjes së të martës, por pa dhënë rezultat sa i përket identifikimit të autorëve. Policia ndërkaq ka ushtruar kontroll në disa servise e garazhe si dhe ambiente të tjera biznesi, ku ka dyshime se mund të montohen mina me celular. Gjithashtu, kontrollet janë shtrirë edhe në Durrës e Fushë-Krujë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb