Nga: Xhensila Kodra*

TIRANE- Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim ish-kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Florenc Hoxha, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndjekja penale ndaj tij ka nisur pas inspektimit të kryer për periudhën korrik 2012-dhjetor 2013, ku ka rezultuar se ka filluar procedura ligjore për 534 punime ndërtimi të pali-gjshme.

Pas hetimit, rezulton se INUK Bashkia Tiranë, gjatë kësaj periudhe ka marrë vendime pezullimi, por pas përfundimit të afatit të pezullimit, nuk është marrë asnjë vendim i mëtejshëm në lidhje me punimet e kundërligjshme. Sipas pro-kurorisë, thjesht dërgimi i shkresës për kompetencë Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë bashkisë për trajtim të mëtejshëm të gjobës, nuk justifikon ligjërisht mosveprimin për marrjen e masave të mëtejshme për moslejimin e kryerjeve të punimeve të kundërligjshme. Kryeinspektori i INUK, Bashkia Tiranë, nuk ka respektuar afatet për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe të urbanistikës.

Dosja e plotë e prokurorisë
Prokuroria pranë Gjy-katës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 05 nëntor 2014 ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e materialit kallëzues nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK). Nga materiali kallëzues rezulton se INUK, në funksion të detyrave dhe përgjegjësive të ngarkuara nga legjislacioni specifik, që rregullon veprimtarinë e tij në fushën e ndërtimit dhe urbanistikes, përmes inspektoreve, ka ushtruar një kontroll pranë Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë Tiranë, në lidhje me zhvillimet dhe ndërtimet në territorin administrativ të kësaj bashkie dhe njëkohësisht, edhe për zbatimin e ligjshmërisë së këtij inspektorati Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë, Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lidhje me zbatimin e dispozitave të ligjit Nr. 9780 datë 6.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” nga inspektimi i kryer për periudhën korrik 2012-dhjetor 2013, ka rezultuar se ka filluar procedura ligjore për 534 punime ndërtimi të paligjshme. Nga këto, 463 punime ndërtimi (në proces) janë kryer këto veprime ligjore: proces verbal konstatimi, vendim pezullimi, vendim gjobe, shkresë drejtuar drejtorit të përgjithshëm të planifikimit dhe zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë, për trajtim të mëtejshëm të vendimit të gjobës. Për 70 punime ndërtimi (të përfunduara) janë kryer këto veprime ligjore: procesverbal konstatimi, vendim gjobe, shkresë drejtuar drejtorit të përgjithshëm të planifikimit dhe zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë, për trajtim të mëtejshëm të vendimit të gjobës. Për 1 rast, proces verbal konstatim, vendim pezullimi.

Referuar konstatimit të mësipërm, rezulton se INUK Bashkia Tiranë, gjatë kësaj periudhe, ka marrë vendime pezullimi, por pas përfundimit të afatit të pezullimit, nuk është marrë asnjë vendim i mëtejshëm në lidhje me punimet e kundërligjshme. Thjesht dërgimi i shkresës për kompetencë Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkisë, për trajtim të mëtejshëm të gjobës nuk justifikon ligjërisht mosveprimin për marrjen e masave të mëtejshme për moslejimin e kryerjeve të punimeve të kundërligjshme. Përveç kësaj, është konstatuar se shkresat në fjalë janë dërguar përtej afatit të pezullimit të punimeve të parashikuar në vendimet përkatëse. Gjithashtu, nuk rezulton që kryeinspektori të ketë përmbushur detyrimin e parashikuar nga neni 83/6 i ligjit nr. 10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar. Në përfundim të kontrollit të ushtruar nga INUV, grupi i kontrollit ka konstatuar se: Kryeinspektori i INUV, Bashkia Tiranë nuk ka respektuar afatet për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe të urbanistikës, parashikuar nga neni 15/3 i Ligjit Nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar. Kryeinspektori nuk ka dhënë informacionin e kërkuar Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, duke mos krijuar të gjitha lehtësitë për përmbushjen e detyrave dhe duke penguar në përmbushjen e detyrave të këtij inspektorati, parashikuar nga neni 15/7 i Ligjit Nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar. Gjithashtu, gjatë kontrollit dhe verifikimeve të kryera në terren, janë konstatuar edhe një sërë ndërtimesh të kryera në kundërshtim me legjislacionin e ndërtimit, planifikimit dhe zhvillimit të territorit në fuqi, për të cilat INUK ka proceduar me konstatimet dhe vendimet përkatëse. Për sa më sipër, është fakt se kryeinspektori dhe inspektorët e zonës nuk kanë ushtruar funksionin e kontrollit të territorit në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës, parashikuar nga neni 15/1 i Ligjit Nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar. Lidhur me faktet dhe me rrethanat e mësipërme hetimi ka provuar si vijon: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 11.05.2015 ka sekuestruar të gjitha praktikat e mbajtura nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor Bashkisë, Tiranë, për vitin 2013.

Nga praktikat e sekuestruara rezulton se nga inspektorët e INUK të Bashkisë Tiranë janë mbajtur aktet e konstatimeve lidhur me konstatimin e ndërtimeve pa leje. Në të gjitha rastet objekt hetimi konstatohet se subjektet nuk kanë marrë dijeni përsa i përket procesverbalit të konstatimit. Në të gjitha këto procesverbale konstatohet shënimi që procesverbali u la në objekt pa u nënshkruar nga subjekti ndaj të cilit është proceduar. Më tej është proceduar me vendime pezullimi dhe gjoba për shkeljet e konstatuara, por në asnjë rast nuk është proceduar me vendim për prishje të këtyre objekteve të ndërtuara pa leje. Ndërkaq, për ndërtimet pa leje, që INUK Bashkia Tiranë ka konstatuar dhe ka proceduar me vendim pezullimi, rezulton se pavarësisht kësaj vendimmarrje, ndërtimet janë përfunduar. Lidhur me mbajtjen e këtyre akteve nga INUK, hetimi ka provuar gjithashtu se nga deklarimet e personave ndaj të cilëve tregojnë rrethana të dobishme për hetimin rezulton se këto subjekte nuk kanë marrë dijeni, duke ju mohuar të drejtën e ankimit në rrugë administrative dhe në gjykatë. Në disa raste këto gjoba janë kthyer në titull ekzekutiv pa djeninë e subjekteve ndaj të cilëve është proceduar.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: