TIRANË- Prokuroria e Tiranës përfundon hetimin dhe dërgon për gjykim 7 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, Tiranë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” për legalizimin e ndërtimit të 14 subjekteve ndërtuese në kundërshtim me parashikimet ligjore, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 370 mijë euro. Hetimi ndaj këtyre personave është zhvilluar në gjendje të lirë.

Prokuroria e Tiranës e ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nga ana e tij ka konstatuar shkelje ligjore gjatë kontrollit për periudhën 2004-2011.

Në konkluzion të veprimeve hetimore, Prokuroria Tiranë ka arritur në përfundim se ish-përgjegjësja e Sektorit të Legalizimeve dhe 6 specialistë të asaj zyre kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”, pasi:

Nga kontrolli i dosjeve të vetëdeklarimeve për legalizim të objekteve të ndryshme, Prokuroria ka konstatuar që në procesin e legalizimit të shtesave informale në ndërtimet me leje nuk janë respektuar kriteret e përcaktuara në ligj duke shkaktuar dëm në ngarkim të shtetit dhe të shtetasve. Dokumentacioni i përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe penaliteteve për objektet me leje, me shtesa informale në ndërtim të objekteve nuk ishin të plota dhe të sakta.

Në këto dokumentacione mungonin akte të domosdoshme si: përcaktimi i sipërfaqeve shtesë, korrespondimi me numrin e pasurisë me zonën kadastrale për çmimet minimale të shitjes për efekt fiskal për qytetin e Tiranës sipas marrëveshjes përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, firma e specialistit në tabelën përmbledhëse me sipërfaqet shtesë sipas kateve bashkëngjitur projektit arkitektonik për t’iu referuar sipërfaqes së llogaritur. Sipas kallëzimit të gjitha mangësitë e mësipërme kanë shkaktuar një detyrim, rrjedhur nga mospërllogaritjet e sakta të penaliteteve, në shumën prej 364.733 dhe 818.544 lekë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb