BERAT – Prokuroria e Beratit dërgon për gjykim kryetarin e komunës Perondi, Rexhep Hajdari, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”, si edhe katër shtetas të tjerë, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh”. Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se Hajdari dhe 4 të akuzuarit e tjerë janë hetuar në gjendje të lirë.
Në bazë të hetimit të Prokurorisë së Berat, nisur pas kallëzimit të një shtetasi, rezulton se Hajdari, në cilësinë e kryetarit të komunës Perondi, i ka shitur disa sipërfaqe toke shtetasve Elmas Mema, Mylaim Pire, Refat Pire dhe Barjam Putro, të cilat rezultonin në pronësi të kallëzuesit.

Sipas prokurorisë, nga hetimi ka rezultuar se kryetari i komunës, pavarësisht se kjo sipërfaqe toke ishte njohur me vendim gjyqësor në emër të kallëzuesit, e ka konsideruar si hapësirë publike dhe ua ka këtë shitur këtë truall 4 shtetasve. Këta të fundit, pasi ZVRPP Berat nuk ua ka njohur blerjen për efekt regjistrimi në hipotekë, për shkak se ajo ishte regjistruar në emër të kallëzuesin, kanë falsifikuar dokumentacionin, duke u bërë pronarë me dokumente të rremë.
Për këtë arsye, Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj 5 shtetasve; nga të cilët, për Kryetarin e Komunës për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa për 4 të tjerët, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb