VLORE– Prokuroria e Vlorës i ka vendosur sekuestro një kullote rreth 85 mijë metra katrorë, me vlerë sipas hartës së tregut rreth 200 mijë euro, në zonën e Palasës, në Bashkinë Himarë, pasi u është njohur dhe kthyer si pronë disa shtetasve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), në bazë të dokumenteve të falsifikuara.

“Në bazë të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës, pas kallëzimit të AKKP-së të dorëzuar në vitin 2014 për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, ndër të tjera, është konstatuar se me vendimin e datës 3.12.2008, Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka njohur dhe kthyer pronën tip kullotë në favor të trashëgimtarëve të shtetasit V.B. Nga hetimi i Prokurorisë Vlorë ka rezultuar se dokumentet e përdorur nga të interesuarit për njohjen e pronësisë mbi këtë pronë janë të falsifikuara. Për këtë arsye, si hap të parë, Prokuroria e Vlorës bëri kërkesë në gjykatë për sekuestrimin preventiv (paraprak të saj), kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Vlorës”, thuhet nw njoftimin e Prokurorisw.

Ndërkohë, hetimi po vijon më tej për këtë rast dhe raste të tjera, të cilat janë referuar nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb