TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda do të vendosë në seancën e 14 tetorit, lidhur me kërkesën e organit të akuzës për konfiskimin e pasurisë së Kastriot Ismailajt, administratorit të kompanisë “Debt International Advisory” (DIA), i cili po hetohet për mashtrim dhe pastrim parash.

Prokuroria e Krimeve të Rënda I është drejtuar Gjykatës për Krime të Rënda me kërkesën për konfiskimin e pasurisë prej 2 milionë eurosh që rezulton në emër të Kastriot Ismailajt dhe nënës së tij Lutfie Ismailaj. Sipas prokurorisë, nuk vërtetohen burimet e ligjshme të pasurisë, që dyshohet se buron nga aktivitete të paligjshme.

Nga ana e tij, avokati i Ismailajt sqaroi se kjo pasuri është vënë përpara vitit 2010. Ai kërkoi kohë për mbledhjen e provave, çka bëri që seanca e radhës të caktohet për në datën 14 tetor.

Sipas ligjit antimafia, në momentin që një person hetohet për pastrim parash, të gjithë personat e lidhur me të, u verifikohen pasuritë. Pas vënies nën akuzë të biznesmenit Ismailaj, për pastrim parash, prokuroria u përball me faktin se në llogaritë e nenës së tij ndodhej një shumë e majme parash, por që gruaja nuk e justifikonte dot mënyrën sesi e kishte vënë këtë pasuri. Personat e tjerë të lidhur me Ismailaj kanë rezultuar të jenë të “varfër”, gruas së tij i është gjendur në pronësi vetëm një makinë dhe po sipas ligjit antimafia është kërkuar sekuestrimi i mjetit.

Hetimi i pasurive
Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim pasuror ndaj Kastriot Ismailajt, kompania e të cilit DIA ishte kontraktuar nga CEZ për mbledhjen e borxheve. Nga hetimet rezultoi se përmes shoqërisë së tij “Adriatic Development Corporation LTD” ai kishte kryer transferta të dyshimta bankare në drejtim të vendeve që konsiderohen si “parajsa fiskale”. Gjykata e Krimeve të Rënda firmosi për sekuestrimin e llogarive të shoqërisë “Adriatic Development Corporation LTD” në vlerat 3.2 milionë USD dhe 450.000 Euro. Njëkohësisht prokurori Gentian Trenova, verifikoi dhe pasuritë e pjesëtarëve të familjes së Ismailajt dhe personave të lidhur me të. Nga verifikimet u gjetën shuma në konsiderueshme parash në llogaritë e nënës së tij, Lutfije Ismailaj, për të cilat është kërkuar konfiskimi.

Hetimi ndaj Ismailajt
Kastriot Ismailaj po hetohet nga njësia e specializuar Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, për mashtrim dhe pastrim parash. Administrator i DIA, kompanisë që u kontraktua nga kompania çeke CEZ shpërndarje, dyshohet të ketë përvetuar përmes skemës mashtruese një shumë prej 4.8 milionë euro, në bashkëpunim me ish-kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek. Sipas prokurorisë, DIA ka përfituar shumën prej 4.8 milionë euro nga CEZ Shpërndarje përgjatë periudhës nëntor 2010-tetor 2011, përmes një raporti, sipas të cilit kishte bërë identifikimin e debitorëve të energjisë, si dhe një pjesë tjetër parash i mori si parapagesë për shpenzimet operative. Skandali CEZ-DIA ka nxjerrë në dritë fakte që duket se implikojnë dhe persona të tjerë, madje dhe personazhe të njohur të politikës. Por deri më tani, i pandehur është marrë vetëm biznesmeni Kastriot Ismailaj dhe pritet të vendoset për ish-drejtorin e CEZ, Hejsek.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb