TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e një godine 5-katëshe me destinacion resort turistik në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, në pronësi të shtetasit Shpëtim Brahimaj, por për të cilën ka dyshime të arsyeshme se është ndërtuar nga paratë e aktivitetit kriminal të të birit të tij, Isuf Kokaj (Brahimaj), i vrarë pas një atentati me minë të telekomanduar në fund të gushtit 2014.

Në vijim të hetimeve për atentatin ndaj tij, një ndër pistat e ngritura nga autoritetet hetimore ishin edhe përplasjet e mundshme për trafikun e lëndëve narkotike, pasi Isuf Brahimaj (Kokaj) ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe hollandeze për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Në kuadër të veprimeve verifikuese, u konstatua se familja Brahimaj, më konkretisht babai i viktimës, shtetasi Shpëtim Brahimaj, kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie.

Fillimisht, Prokuroria e Vlorës kreu veprimet proceduriale, nga ku u krijuan dyshime të arsyeshme se pronari i deklaruar nuk kishte mundësi financiare të realizonte shpenzimet për ndërtimin e hotelit, të cilat, sipas çmimeve referuese arrijnë në 100 milionë lekë të reja.

Në këtë vlerë nuk është llogaritur vlera e truallit, e cila sipas dokumentacionit të blerjes është shënuar 120 mijë euro, por që dyshohet se është blerë rreth 700 mijë euro. Edhe kontrata e blerjes së truallit është nënshkruar nga shtetasi Shpëtim Brahimaj, pavarësisht se ai nuk ka pasur mundësi reale financiare të realizojë këto të ardhura.

Prokuroria e Vlorës kërkoi vendosjen e sekuestros preventive për objektin dhe truallin, e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës. Më pas, çështja iu kalua për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”.

Në vijim, Gjykata për Krime të Rënda caktoi sërish masën e sekuestros preventive, në bazë të kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda.

Nga kjo prokurori u kryen veprime të tjera verifikuese, nga ku u krijuan dyshime të arsyeshme se shpenzimet për blerjen e truallit (me sip. 2500 m2) dhe ndërtimin e godinës 5-katëshe (me sip. 3090 m2) janë realizuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të pronarit të deklaruar, konkretisht të shtetasit tashmë të vdekur, Isuf Kokaj (Brahimaj) dhe të Ermal Brahimaj.

Në bazë të informacionit të përftuar nga letër-porositë me autoritetet italiane, rezulton se Isuf dhe Ermal Brahimaj janë dënuar për vepra penale në fushën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, si edhe janë hetuar edhe në disa raste të tjera po për këto lloj veprash penale.

Në bazë të hetimeve të kryera, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e aseteve të mësipërme, pasi:

Së pari: Pasuritë janë përfituar pas përfshirjes së personave të hetuar Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe vëllai i tij, i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj në veprimtari kriminale, veprimtari kriminale që daton që në vitin 1994 për të ndjerin Isuf Brahimaj dhe në vitin 2004 për Ermal Bajramin.

Së dyti, këto pasuri nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave të të dyshuarve dhe familjarëve të tyre.

Së treti, pasuritë janë në zotërim të drjetpërdrejtë të personave të hetuar të cilët pavarësisht faktit se dokumnetat i kanë regjistruar ne emër të babait të tyre Shpëtim Brahimaj, rezulton se objekti i ndërtuar është fryt i investimeve të djemve të tij Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe i ndjeri Isuf Koka alias Isuf Brahimaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: