SHKUP- Prokuroria publike e Maqedonisë thotë se Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj kanë qenë në mesin e 10 personave të vrarë gjatë aksionit policor më 9 dhe 10 maj në Kumanovë. Në përgjigjen e dërguar me shkrim për televizionin Alsat, prokuroria thotë se këtë e ka dëshmuar edhe ekspertiza e kryer nga instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Gjatë ekspertizës së prokurorit kompetent pranë Prokurorisë themelore publike për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç kemi informuar tashmë, janë gjetur 10 trupa të personave të vdekur të cilët janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku sipas njoftimit të marrë për identifikimin e personave të vdekur, janë identifikuar edhe personat për të cilët jeni interesuar ju”, thonë nga Prokuroria.

Ndërkaq në pyetjen përse Ministria e Jashtme e Maqedonisë, tre ditë pas aksionit i pati dërguar informatë Ambasadës së Kosovës në Shkup, në të cilën Ndrecaj dhe Rizaj figuronin në mesin e personave të arrestuar, nga Prokuroria thonë se këtë përgjigje duhet ta kërkojmë vetëm nga MPJ-­ja. Pas shumë insistimeve, nga Ministrisë e Jashtme thanë të premten se lista dërguar ambasadës kosovare ka qenë paraprake. Po ashtu, edhe nga MPB­-ja që furnizonte MPJ-­në me informata mbi të arrestuarit, një ditë më parë, theksuan se institucionet kosovare janë njoftuar pas kryerjes së procedurave të nevojshme.

“Menjëherë pas ekspertizës së përfunduar, autoriteteve të Kosovës iu dërguan të dhënat e domosdoshme për identifikimin e trupave. Opinioni u informua kur përfundoi identifikimi”, thanë nga Ministria e Brendshme. Institucionet kosovare vazhdojnë që ta evitojnë këtë çështje në heshtje, prej 5 ditësh tashmë. Ambasadori Ylber Hysaj është i pakapshëm në telefon, ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk përgjigjen as në kërkesën, dërguar nga ALSAT, lidhur me të dhënat kontradiktore, si dhe në rast se do të kërkojnë hetim ndërkombëtarë për këtë rast.

Më 3 qershor televizioni Alsat publikoi një letër me të cilën MPJ njoftoi ambasadën e Kosovës me emrat e personave të arrestuar në aksionin e Kumanovës ku figurojnë edhe emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt të cilët më pas u shpallën të vdekur. MPJ konfirmoi autenticitetin e letrës të cilën njëkohësisht e quajti edhe si paraprake. Hapja e një hetimi ndërkombëtar tani është përmendur vetëm jozyrtarisht, por as në Shkup dhe as në Prishtinë nuk ka një kërkesë zyrtare për këtë.

Ndërkohë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë disa javë më parë hodhi dyshime se Ndrecaj dhe Rizaj janë vrarë pasi janë dorëzuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb