TIRANE-Përpos Ministrisë së Shëndetësisë, edhe Ministria e Transporteve është certifikuar tashmë si një tjetër degë e qeverisjes, e cila gjeneron afera të rënda korruptive, papërgjegjshmëri të theksuar, paaftësi dhe klientelizëm. Certifikimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më i lartë dhe i besueshëm i kontrollit financiar në Shqipëri, shkruan e perditshmja ‘Sot’.

Ministria e Transporteve ka bllokuar çmontimin e koncesionit të kolaudimit të automjeteve dhe të monopolit të fluturimeve, nuk ka përfunduar qoftë një rrugë dhe ka dështuar në mënyrë spektakolare me Rrugën e Arbrit, por, kjo ministri ka bërë edhe një punë tjetër, ka abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Gjatë harkut kohor 2014-2015, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ka shpërdoruar 4,5 milionë euro nga fondi i rrugëve.

Sipas te perditshmes, ‘Sot’, ka pasur shkelje dhe abuzime me të gjitha rrugët dhe akset në të gjithë Shqipërinë. Shkeljet nisin që nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore, prokurime pa fonde, favorizim i qëllimshëm të subjekteve private të kontraktuara, rritje artificiale e fondit limit, përfitim i padrejtë nga sipërmarrësit e punimeve të ndërtimit, shtyrja në disa raste e afatit të realizimit të punimeve, punime shumë të dobëta, para për punime që nuk ekzistojnë, përllogaritje e gabuar me qëllimin e kostove të punimeve, prokurim të dyfishtë, studime të dyfishta etj. Në këto kushte, në datën 22 shkurt, në Prokurori ka shkuar një dosje penale për kupolën e ARRSH. Sipas burimeve, vetëm disa ditë pas kallëzimit penal, organi i akuzës ka nisur hetimet për vjedhjen e 4,5 milionë eurove me rrugët, duke hapur kësisoj dosjen e ARRSH. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe nëpunës të tjerë të këtij institucioni tashmë janë nën hetim nga prokuroria, ndërsa kupola e Ministrisë së Transporteve është mbërthyer nga paniku dhe pasiguria. Aktualisht, hetimet janë në fazën e fundit të verifikimit të dokumentacionit, ndërsa mësohet se ARRSH është thjeshtë një hallkë e ndërmjetme e korrupsionit me rrugët.

Prokurorët dyshojnë se pas Autoritetit Rrugor Shqiptar fshihet një rreth i caktuar pushtetarësh dhe biznesmenësh, të cilat kanë ndarë paratë e qytetarëve shqiptarë. Gjithsesi, kjo nuk i lehtëson aspak pozitat e drejtuesve të ARRSH, për të cilët prokuroria duket se po përgatit urdhër-arrestet.

Faza e dytë e hetimeve
Pas konstatimeve të para, prokuroria pritet të sekuestrojë të gjithë dokumentacionin dhe praktikën në Ministrinë e Transporteve dhe Drejtorinë e Rrugëve, rreth prokurimeve dhe realizimit të projekteve gjatë periudhës 1 Janar 20154 deri në shtator të vitit 2015. Pas sekuestrimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit do të përcaktohet edhe fati i kupolës së ARRSH. Mbetet për t’u parë se deri në ç’nivel do të shtihen hetimet dhe nëse do të përfshijnë ministrin Edmond Haxhinasto. Sigurisht që ky i fundit ka përgjegjësinë e tij politike dhe morale për abuzimet e mëdha, por përgjegjësia penale mund të përcaktohet vetëm nga prokuroria dhe gjykata.

Kryeministri nuk shkarkon drejtorin
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar në tavolinën e kryeministrit Edi Rama raportin me të gjitha shkeljet me ndërtimin e rrugëve dhe veprat e tjetra publike. Po ashtu, KLSH i ka kërkuar kryeministrit shkarkimin nga detyra të drejtorit të ARRSH. “Në përfundim të këtij auditimi, KLSH ka adresuar të gjitha problematikat e konstatuara, pranë Kryetarit të Këshillit të Ministrave, me shkresën nr. 787/16, datë 24.02.2016, duke i kërkuar njëkohësisht të fillojë procedurat për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për Z. Dashamir Xhika shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, sidomos në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave të infrastrukturës rrugore”.

Abuzimet me punimet në autostradën “Fushë Krujë – Milot” dhe zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës

1. Nga auditimi u konstatua që për përcaktimin e fondit limit të këtij studim – projektimi, ARRSH kishte marrë për bazë koston e mesatare për kilometër të autostradës “Fushë Krujë – Milot” me vlerë 476 milionë Lekë/km. Nga analiza që grupi i auditimit i bëri përllogaritjeve të paraqitura nga ARRSH në përcaktimin e fondit limit, u evidentuan një sërë pasaktësish dhe shifrash të paargumentuara (koeficientët) në bazë të të cilave krijohej bindja për një keqpërllogaritje të qëllimshme të fondit limit me synimin e rritjes së tij në favor të subjektit fitues të procedurës së prokurimit.
Kështu, në përllogaritjet e ARRSH evidentohen dy koeficientë (1.306 dhe 1.237) për të cilët ARRSH nuk jepte asnjë shpjegim apo arsye në lidhje me kuptimin dhe përdorimin e tyre në përllogaritjen e kostos për km të rrugës së marrë si referencë. Në sqarimet e dhëna nga ARRSH në lidhje me mënyrën e përllogaritjes së vlerës së fondit limit, evidentohen disa variante përllogaritje, çka tregon që fondi limit i kësaj procedure prokurimi është përllogaritur jo sipas një varianti të argumentuar teknik. Nga ana tjetër, segmenti rrugor “Fushë Krujë – Milot” me gjerësi totale prej 25 m (2007-2009), i marrë si referencë nga ARRSH për përcaktimin e kostos së rrugës për km, nuk përputhej në specifikime teknike me aksi rrugor “Tiranë – Durrës”, i cili do të zgjerohej në total me 15 m.

Njëkohësisht, segmenti rrugor “Fushë Krujë – Milot”, përmban një sërë mbikalimesh, nënkalimesh, kryqëzimesh, ura dhe elementë të tjerë, numri dhe kosto e të cilave duhet të ishte zbritur nga ARRSH kostos totale të kësaj rruge përpara se të përcaktohej kostoja për km. Përfshirja e kësaj kategorie punimesh në përllogaritjen e kostos së rrugës për km të segmentit rrugor “Fushë Krujë – Milot” (i marrë si referencë) dhe më pas shtimi sërish i kostove të çdo mbikalimi, nënkalimi, kryqëzimi, ure apo elementi tjetër në përllogaritjen e fondit limit të zgjerimit të aksit rrugor “Tiranë – Durrës”, ka rritur artificialisht dhe jashtë logjikës teknike fondin limit të prokurimit. Në total, nga auditimi rezultoi që fondi limit i prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë – Durrës” është rritur artificialisht në vlerën 100,001,686 Lekë çka konsiderohet dëm ekonomik në buxhetin e shtetit.
2. Rezulton që përgjatë periudhës së përgatitjes së dokumentave të tenderit dhe zhvillimit të procedurës së prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë – Durrës”, janë bërë disa investime nga institucione të tjera me fonde të buxhetit të shtetit, investime të cilat me zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës “Tiranë – Durrës”, do të mbivendosen, ribëhen apo prishen plotësisht. Kështu, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është zhvilluar më 30.06.2014 procedura e prokurimit me objekt: “Rehabilitimi i segmentit Rrethrrotullimi i Doganës – Kashar”, për të cilin është lidhur më pas në datë 11.09.2014 edhe kontrata me vlerë 275,270,827 Lekë. Nga ARRSH, me shkresën nr. 6000/1, datë 05.09.2014, është bërë parashikimi i procedurave të prokurimit publik për përmirësimin e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën “Titanë – Durrës”, në vlerën 250,000,000 Lekë, të ndarë në dy lote.

Ndërsa nga Ministria e Mjedisit është zhvilluar më datë 13.06.2014 procedura e prokurimit “Gjelbërimi dhe sistemimi anësor i aksit rrugor, mbikalimi i Kamëz – Qafa e Kasharit – Rinas (Aeroport)”, me vlerë 68,396,651.10 Lekë pa TVSH. Të tre këto investime, në segmente të caktuara të tyre, preken totalisht nga zbatimi i projektit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë – Durrës”. Për rrjedhojë ARRSH, në dijeni të plotë të këtyre investimeve, nëpërmjet prokurimit të këtij studim projektimi, ka projektuar që në fillim shkatërrimin e investimeve të sapo filluara në vlerë totale prej rreth 593 milion Lekë pa tvsh, çka automatikisht i kthen këto investime në vlera të konsiderueshme monetare në investime tejet afatshkurtra, të cilat rëndojnë në mënyrë të papërgjegjshme buxhetin e Shtetit.

(GazetaSot/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb