TIRANE- Keshilltari i Prokurorisë së Përgjithshme, Denion Ndrenika ka thënë se kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nuk është person nën hetim, por po hetohet veprimtaria e tij dhe më pas do dilet në një përfundim nëse ka elementë të veprës penale apo jo.

Në një prononcim për “BalkanWeb”, Ndrenika  tha se po hetohet veprimtaria e kreut të bashkisë së Durrësit dhe personave të tjerë pas publikimit të përgjimeve, ku Vangjush Dako shfaqet duke komunikuar me anëtarë të bandës së Shijakut ‘Avdylaj’ të arrestuar për trafik droge.

Nuk është person nën hetim, por për Vangjush Dakon nuk do të thotë se nuk po hetohet veprimtaria e tij si kryetar i bashkisë. Po hetohet veprimtaria e tij  dhe e shumë personave të tjerë dhe në përfundim do të konkludohet nëse ka ose jo elemente të veprës penale”- tha keshilltari i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kujtojmë se emri i kryebashkiakut të Durrësit doli në hetimet e prokurorisë për grupin kriminal të ‘Avdylajve’ dhe nga përgjimet e publikuara në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24 rezultoi se Dako kishte komunikim dhe bashkëpunim me Altin Avdylin i ashtuquajturi “Niçja” i arrestuar gjatë operacionit “Vol-vo 4”.

Nga kjo bisedë e përgjuar, Dako interesohet që të takojë një person të quajtur Astrit, i arrestuar të dielën e shkuar si pjesë e bandës ‘Avdylaj’.

Sipas transkriptit të kësaj bisede, Vangjush Dako kërkon të takohet me Astritin për ta falënderuar dhe folur për diçka, dy ditë pas zgjedhjeve të vitit 2017. Ndërkohë në një tjetër përgjim të publikuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Vangjush Dako është kapur duke biseduar me Jasin Avdylin, i cili po ashtu është i arrestuar në operacionin ‘Vol-vo 4’.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb