TIRANE- Armando Prenga, deputeti i përjashtuar i PS­-së, ka kërkuar gjykim të shkurtuar për çështjen për të cilën ai ndodhet nën akuzë. Prenga akuzohet për armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë me dashje dhe kanosje për vrasje, pasi u përfshi në një konflikt me armë më vëllezërit Cali për lagunën e Patokut.

Prenga nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, por dy avokatët mbrojtës të tij kanë kërkuar gjykim të shkurtuar dhe në bazë të provave që i ka në dispozicion prokuroria deri tani të mos thërriten më dëshmitarë.

Prokuroria ka pranuar kërkesën e Prengës për gjykim të shkurtuar.

Trupa gjyqësore vendosi të marrë vendim lidhur me çështjen më datën 9 shkurt dhe nëse pranon kërkesën, atëherë Prenga do të përfitojë një ulje prej 1/3 të dënimit.

Prenga është vënë në akuzë për plagosje të lehtë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ai u arrestua fillimisht për ngjarjen dhe pas disa ditëve në qeli, ai u la i lirë pasi iu dha masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ndërkohë që hetimet vijonin për ngjarjen, Prenga i bëri kërkesë kryeprokurorit Llalla që t’i jepte leje për të vizituar prindërit e tij, pasi babai i tij ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.

Prenga u përfshi në një konflikt me armë para komisariatit të Laçit, në përplasje me vëllezërit Cali për lagunën e Patokut, ku mbetën të plagosur tre persona.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: