TIRANE

Prokuroria e Tiranës pushon hetimet për ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledjon Rehovica, ndaj të cilit rëndonin dyshimet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Për shkak se u dyshua për fshehje të një rekordi kriminal në Itali, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi ndërprerjen e mandatit për Rehovicën, pak muaj, pasi ai hyri në Kuvend.

Menjeherë më pas për të nisën hetimet. Por tashmë pas dy vitesh, institucioni i akuzës në kryeqytet, nuk mundi të siguronte prova fajësie për ish-deputetin e për këtë shkak iu drejtua gjykatës me kërkesën për pushimin e hetimeve. Gjyqtarja Rexhina Merlika vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës dhe pushojë hetimet për Rehovicën. Në vendimin e gjykatës që disponon News24 sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes që ndodhur në 1999, ku një person i identifikuar si Mina Kusta është shoqëruar në polici, pas vjedhjes së një dyqani.

Në 2017, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi Komisionin e Zgjedhjeve se shtetasi Mina Kusta, ishte në fakt, deputeti Gledion Rehovica, gjë që vërtetohej pas krahasimit të shenjave të gishtërinjve. Vetë Rehovica mohoi kategorikisht të ishte shoqëruar, ndaluar apo arrestuar ndonjëherë në shtetin fqinj, i dyshuar për vjedhje. Nga hetimet është provuar se shkurt të 1999 Rehovica është shoqëruar për verefikime ne polici, por më pas është lënë i lirë, pasi nuk ka rezultuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Në përgjigjen sjelle prokurorisë shqiptare, pas nisjes së hetimit, autoritetet italiane sqarojnë se Rehovica është raportuar në polici, për të verifikuar një ngjarje, por që gjithësesi nuk përbën shkak për ndalim ose arrestim të personit. Cka do të thotë se Gledion Rehovica, nuk ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar ne Itali. Në kushte të tilla, ai nuk rezulton të ketë fshehur ndonjë rekord të mundshëm kriminal në formularin e dekriminalizimit e për pasojë nuk provohet vepra  penale.

Këtë vendim ish deputeti e depozitoi në gjykatën Administrative së cilës i është drejtuar me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nëse kërkesa e Rehovicës pranohet nga gjykata, pyetja është: A mund ta rimarrë ai mandatin, ndërkohë që në Kuvend ka hyrë pasuesja në listë, Silva Caka?

Rasti Rahovica përbën një precedent, ndaj News24 u interesua pranë KQZ. Zyrtarisht institucioni në fjalë, nuk dha një përgjigje të qartë për qëndrimin që do të mbajë  nese gjykata administrative i jep të drejtë Rehovicës, pasi ligji nuk parashikon rimarrjen e mandatit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb