TIRANË-Prokuroria ka regjistruar sot procedimin penal të ILDKP-së ndaj deputetit Ridvan Bode. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive paditi deputetin Bode për fshehje pasurie.

Sipas ILDKP Bode nuk ka paraqitur dokumentet për të ardhurat dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim për to. Kallëzimi për deputetin Bode është bërë për “Refuzim për deklarim” dhe “Fshehje, ose deklarim të rremë të pasurisë.” ILDKP ka deklaruar se Bode është njoftuar disa herë për deklarimin.
NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISE
Më datë 7 Prill 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve, dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, paraqiti pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Ridvan Bode, me funksion Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 257/a/1/2 dhe 287 të Kodit Penal. Subjekti Ridvan Bode dhe pse u njoftua disa herë nga ILDKPKI gjatë procesit të hetimit administrativ, refuzoi të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin justifikues­ligjor për to. Pas depozitimit të kallëzimit penal, Inspektori i Përgjithshëm i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj­zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen.

BODE DEPOZITON NE PROKURORI KALLEZIMIN PENAL NDAJ ILDKP-SE PER SHPIFJE

Edhe deputeti Ridvan Bode ka depozituar ditën e sotme në prokurori një kallëzim penal ndaj ILDKP-së. Bode akuzon Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive për shpifje në lidhje me deklarimin e pasurisë së tij.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: