I sapoardhuri si kryetar i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për punësime partiake në Komunën e Prishtinës, gjatë mandatit të tij të parë, të militantëve të VV-së pjesë e së cilës ishte deri para 3 muajve. Hetimin ndaj Ahmetit e ka konfirmuar për Gazetën Express, zyra për informim e Prokurorisë së Shtetit.

“Rasti i Shpend Ahmeti lidhur me punësimet në Komunën e Prishtinës, është në fazën e hetimeve preliminare”, ka thënë të premten zëdhënësi Ekrem Lutfiu.

Hetimin po e zhvillon Prokuroria Speciale, pas disa kallëzimeve penale që kanë deponuar në këtë prokurori kundërshtarët politikë të Ahmetit, vitin e shkuar.

Gazeta Express merr vesh se Ahmeti si kryetar i Prishtinës, po dyshohet se ka shkelur ligjin duke punësuar me kontrata mbi vepër dhjetëra militantë partiakë të VV-së, pjesë e së cilës ka qenë deri në janar të këtij viti.

Megjithatë, PDK-ja, që, në gusht të vitit 2017, deponoi në Prokurori të Shtetit kallëzimet penale ndaj qeverisjes së atëhershme të Ahmetit dhe VV-së në Prishtinë pretendonin se deri në 500 ka shkuar numri i të punësuarve kundërligjshëm nga kryetari i Prishtinës, që vetëm pak muaj më pas fitoi mandatin e dytë në krye të kryeqytetit.

Pagat mujore me të cilat dyshohet se janë paguar këta militantë të VV-së, nga Ahmeti si kryetar i Komunës së Prishtinës, kanë variuar nga 250 euro deri në afër 500 sosh, në muaj.

Prokuroria e Shtetit të premten nuk ka treguar për Express nëse Ahmeti është i vetmi subjekt i hetimit në fjalë. Sikurse, të njëjtit nuk kanë treguar nëse kryetari i Prishtinës të jetë intervistuar deri më tani për dyshimet e prokurorisë.

Shpend Ahmeti, në fund të vitit të shkuar ka fituar mandatin e dytë në krye të Prishtinës, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm pak muaj më pas, në fillim të këtij viti, Ahmeti u largua nga kjo lëvizje, me ardhjen në krye të saj të Albin Kurtit, pas përplasjeve që çuan në ndarje të kësaj partie politike.

Të mërkurën, Ahmeti u zgjodh kryetar i PSD-së, pasi ai dhe një grup ish-deputetësh të VV-së aderuan në partinë socialdemokrate të Kaqusha Jasharit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb