Deputeti i PD Ervin Salianji, ka deklaruar se pozita duhet të vijojë më aksionin e saj por dhe të bëhet një alternativë e besueshme qeverisëse.

Sa i takon çështjes shumë të diskutuar të “McGonigal”, Salianji tha se përderisa Kryeministri i vendit nuk del të japë llogari në Kuvend kjo tregon një përfshirje të madhe të tij në këtë aferë.

“Thelbi i të gjithave është Edi Rama dhe gjithë aferat korruptive që kanë të bëjnë me një njeri të vetëm. Afera McGonigal që nuk po mbaron, flasim për një skandal të përmasave shumë të mëdha, çka e bën atë aferë personale në cilësinë e Kryeministrit. Duket që ka një situatë ku është përfshirë rëndësishëm dhe ndërkohë këto akrobacirat, nuk erdhi të përgjigjej në Parlament, fakti që nuk erdhi për të dhënë llogari tregon që është përfshirë. Të shohim kur mos të jetë kryetar i ekzekutivit a do hetohet apo jo. Akt-akuza e prokurorit në Uashington e përmend Kryeministrin e Shqipërisë 14 herë, ndërkohë me hetimet mund të dalin gjëra shumë më të rënda. Kaq mjafton që të jepte dorëheqjen. Prokuroria s’po bën punën e vet”, tha deputeti ai në një intervistë për Klan News.

Salianji komentoi dhe faktin që teksa zhvillohej protesta Rama ndezi një qiri në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi.

“Padiskutim që të gjithë jemi të pikëlluar nga ajo ngjarje dhe që Parlamenti zhvillon aktivitetin e tij në ditë zie s’është shumë normale por Edi Rama duhet të ndezë shumë qirinj që t’i falet shpirti vet se ka bërë shumë mëkate. Vetëm Zoti mund ta nxjerrë nga situata ku është. Pak kishte ndezur, nuk më duket simbolika e gjetur sot se ka ditë që tërmeti ka ndodhur, dhe ka ditë që ekipet e kërkim-shpëtimit janë dërguar. Mund të ketë akte të tjera simbolike sesa këto që janë të pavlera. Se çfarë bëri të shtunën tha se meqënëse më është mbyllur rruga me SHBA-në, unë kaloj këtej nga lindja. Ta interpretojmë si të duam. Nëse më mbyllni punën si Kryeministër, unë po bëj punën si poçar”, tha Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb