Nga: Aurora Koromani*

TIRANE- Fation Skënderi, ose siç njihet ndryshe “Toni i Kombinatit” nuk duhet të dalë jashtë territorit shqiptar derisa të zgjidhet përfundimisht roli i tij në çështjen “Doshi”. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se i përfoluri si personi që ka marrë porosi për të vrarë dy deputetët shqiptarë nuk duhet të dalë jashtë Shqipërisë, pasi ende nuk është zgjidhur roli i tij në të gjithë historinë që kohët e fundit ka tronditur opinionin publik. Kujtojmë se “Toni i Kombinatit” është përmendur nga Durim Bami në një video, ku shfaqet duke i treguar deputetit Tom Doshi se Fation Skënderi ka qenë personi që e ka paguar për ta ekzekutuar.
Reagimi
Në një postim të tij në rrjetin social të “Facebook”, deputeti Tom Doshi ditën e djeshme përveçse ka falenderuar qytetarët që e kanë mbështetur, ka shtuar se nuk ka besim te prokuroria dhe se ka rezerva të arsyeshme në lidhje me hetimin. Sipas deputetit Doshi, në hetimin e çështjes së tij po ndiqen dy standarde, pasi nga njëra anë Durim Bami mbahet i arrestuar dhe nën terror psikologjik, ndërsa ndaj Fation Skënderit nuk ka asnjë masë kufizuese. “Deklarimet e mia kanë qenë publike dhe me emra e ngjarje specifike. Konkretisht kam bërë publike skemën e ngjarjes së përgatitur kundër meje dhe emrat e përfshirë në të si porositës, ndërmjetës dhe ekzekutor. Konstatoj se hetimet në kuadër të kësaj deklarate kanë qenë me dy standarde: Nga njëra anë personi që ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi, Durim Bami, mbahet i arrestuar dhe nën terror psikologjik, madje qëllimisht gjoja për masa sigurie vazhdon akoma të qëndrojë nën mbikqyrje të Policisë së Shtetit e jo nën mbikqyrje të organeve të specializuara sikurse janë burgjet që monitorohen nga prokuroria dhe standardet dhe ruajtja kryhet nga Policia e Burgjeve (e papërfshirë në këtë proces). Nga ana tjetër, ndërmjetësi i krimit (Fatjon Skënderi) pasi thirret me ndërmjetësim të dyshimtë nga Gjermania, i jepen garanci se nuk do ketë asnjë masë shtrënguese ndaj tij dhe nuk ka në fakt.
Dallimi mes tyre është se: Durim Bami ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi dhe më ka vënë në dijeni në lidhje me të, për pasojë është i arrestuar e nën presion e terror policor që të detyrohet të deformojë të vërtetën e pranuar më parë prej tij. Fatjon Skënderi, nuk ka hequr dorë vetë nga krimi por thjesht iu dekonspirua skema, ndërsa ndryshe nga i pari vijon bashkëpunimin me porositësin e vrasjes edhe për dështimin e procesit hetimor, për pasojë është i privilegjuar, duke mos u marrë asnjë masë shtrënguese ndaj tij që të vijojë të mos thotë të vërtetën. Në dukje hetimi nga prokuroria e kësaj çështjeje në të cilën autor është edhe numri 2 i shtetit, ngjan mision i pamundur, por ju garantoj se jam besimplotë që me prova të pakundërshtueshme dhe ndihmën e ndërkombëtarëve kjo do të bëhet e mundur shpejt”, shkruan ish-deputeti socialist në rrjetin social “Facebook”.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: