Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në fillim të kësaj seance, gjykatësi Nicolas Guillou ka kërkuar që palët të tregojnë nëse ka ndonjë parregullsi në lidhje me provat e nxjerra dhe të përcjellura nga prokuroria te mbrojtje. Ndërkaq në vijim, ka pasur replika ndërmjet prokurores së Speciales dhe avokatit të Thaçit, i cili paraprakisht i kishte paraqitur disa vërejtje.

Prokurorja e ZPS-së ka thënë se deri tani ia kanë ofruar mbrojtjes mbi 1300 materiale potencialisht shfajësuese dhe se kanë nxjerrë materiale mbështetëse të aktakuzës.

“Në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve, Prokuroria deri më tani ia ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale potencialisht shfajësuese… Përveç kësaj, kemi bërë nxjerrjen e materialeve mbështetëse të aktakuzës si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën angleze”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka përmendur edhe dy çështje që i ka ngritur ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me llojin dhe burimin e materialit të Prokurorisë.
“Sa i përket llojit të materialit. Prokuroria është përpjekur të japë një pëshkrim domethënës të dokumentit. P.sh. nëse materiali është fotografi apo video-incizim, atëherë në përshkrim përmendet kjo… Sa i përket burimit të informacionit, përsëri nuk duhet një urdhër i gjykatës. Fusha që përmban informacionin për burimin e informacionit është qartësisht e shënuar”, ka thënë prokurorja.

Në kundërpërgjigje, David Hooper, avokat i Thaçit, pati vërejtje për formatin e një liste që i shoqëron materialet e Prokurorisë.
“Unë nuk po flas vetëm për çështjen e nxjerrjes së materialeve… I nderuar gjykatës, ju jeni në dijeni për formatin e listës që i ka shoqëruar materialet e dorëzuara… Kur i shikojmë kolonat që kanë të bëjnë me kategoritë, ne, siç e kemi thënë edhe në parashtrimin me shkrim, këto janë krejtësisht të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme. Faktikisht, në atë kolonë mund të mos ketë asgjë sepse nuk ka tregues për informacionin që jepet aty për personin që e shikon”, tha Hooper.

Ai kërkoi nga Prokuroria më shumë informacion për këto kategori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb