TIRANË- Në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një veprimtari me rastin e promovimit të programeve dhe kurikulave të reja të Akademisë së Forcave të Armatosura. Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, petagogë dhe punonjës të Akademisë së Forcave të Armatosura etj.

Komandanti i Akademisë së Mbrojtjes, kolonel Idriz Haxhia, bëri një prezantim të shkurtër të punës së bërë nga grupet e punës dhe stafi i Akademisë për përgatitjen e teksteve të programeve dhe të kurikulave, të cilët janë ekuivalente me ato të akademive ushtarake homologe të vendeve të NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, në fjalën e saj, ndër të tjera, theksoi se që në fillim të punës si Ministër i Mbrojtjes, nisur edhe nga gjendja jo e mirë ekzistuese, iu kushtua një vëmendje e veçantë ristrukturimit dhe përmirësimit të gjendjes së institucioneve të arsimit ushtarak. “Për këtë, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm, morëm masa për të ndryshuar e ringritur sistemin e arsimit ushtarak, për ta reformuar dhe transformuar AFA në një institucion dinjitoz me programe dhe kurrikula dinjitoze. Qëllimi ka qenë përgatitja e ushtarakëve të denjë të FA, si pjesë e aleancës së NATO-s. Këtë gjë e diktonte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e cila kërkonte ndryshime të rëndësishme edhe në sistemin e edukimit dhe të arsimimit”, tha Kodheli.

Ministrja Kodheli falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bazon, për kontributin që ka dhënë gjatë këtij procesi përgatitor, si dhe drejtuesit e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe grupet e punës për punën dhe përpjekjet që kanë bërë për të sjellë ndryshimet e duhura në sistemin e programeve dhe të kurikulave të kësaj akademie. Ministrja Kodheli theksoi se, pavarësisht nga kjo punë e mirë, ka ende shumë punë për të bërë. “E rëndësishme është që të jemi serioz dhe kjo të jetë vetëm fillimi për ta ngritur nivelin e AFA jo vetëm në lartësinë e nivelit të institucioneve të arsimit të lartë të vendit, por edhe në nivelin e akademive ushtarake të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere perëndimore”, përfundoi Kodheli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: