Një ndër personazhet e njohur të botës së krimit, Saimir Taullau, i është përgjigjur në kohë thirrjes së Operacionit Forca e Ligjit, duke dorëzuar formularin për vetëdeklarimin e pasurisë. Taullau është paraqitur këtë të diel, së bashku me avokatin e tij, Detar Hysi, pranë OFL-së për pasurinë e tij, teksa një ditë më parë iu sekuestrua makina.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Saimir Taullau rezulton pronar i vetëm i kompanisë “SABA-Taullau 3” me zyra në Lushnje me veprimtari në fushën e ndërtimit dhe zbatimit të punimeve, prodhim inertesh e ndërtime rrugësh, projektim, montim dhe shërbim për pikat e karburantit, transport i pasagjerëve për llogari të vetat dhe të personave të tretë dhe shitje karburantesh me pakicë, plus hotel, bar-kafe, lavazh e restorant.

Pas Lulzim Berishës Taullau është subjekti i dytë që përgjigjet pranë OFL-s e cila deri më tani ka dërguar mbi 14 formularë subjekteve me dënime dhe hetime ndër vite si brenda dhe jashtë vendit për krime të rënda.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kush është Saimir Taullau:
Në vitin 2017, i ka shpëtuar një atentati, duke marrë vetëm një plumb. Ai njohët si biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi e Itali. Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares. Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi.

Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, e cila kishte disa biznese, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut. Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb