Pronarët e bizneseve përgjatë Pedonales në qendër të qytetit nuk kanë pranuar të mbyllin sot baret dhe lokalet, siç edhe u është kërkuar nga policia në këtë fundjavë. Pronarët nuk kanë pranuar të mbyllin aktivitetin, duke deklaruar se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare nga policia për këtë urdhër. Ata e kanë kërkuar urdhrin me shkresë zyrtare dhe jo me gojë. Pronarët kanë deklaruar se, nuk mund të marrin për bazë njoftimin që shkruan kryeministri çdo ditë në ‘Facebook’ për hapjen apo mbylljen e bizneseve.

Pronarët deklarojnë se kjo formë që po përdoret me funksionimin e bareve e lokaleve në Berat po i çon ata drejt falimentimit, sepse ata paguajnë jo vetëm qiratë e ambienteve por edhe punëtorët dhe taksat e shtetit. Sipas tyre, Berati është “zonë e gjelbër” dhe si i tillë nuk ka pse të ketë mbyllje në fundjavë, e shtuna dhe e diela duhet të jenë si ditët normale dhe nuk ka përse të ketë më fasha oraresh.

Pas shumë debateve me policinë, këta të fundit u larguan dhe nuk dihet ende se çfarë do të ndërmarrin në vijim, ndërkohë që pjesa më e madhe e bareve e lokaleve përgjatë pedonales vijojnë të jenë të hapura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb