NGA VALENTINA MADANI*

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, akuzoi dje qeverinë shqiptare se po zvarrit kishën katolike, duke mos ngritur një komision të përbashkët, ashtu siç parashikon marrëveshja e shtetit shqiptar, me Vatikanin. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit për Politikën e Jashtme, Bumçi insistoi për ngritjen e këtij komisioni në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

“Lidhur me Marrëveshjen Ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, pse nuk është ngritur komisioni i përbashkët? Unë e di që jeni takuar, por pse nuk keni ngritur komisionin? Shqetësimi ka ardhur nga nivelet më të larta të Kishës Katolike këtu, para pak ditësh, e më thonë ‘ne takohemi, por nuk na jepet asnjë zgjidhje’. Unë kam shqetësim të drejtpërdrejtë pranë opozitës. Komisioni i përbashkët është institucion që ngrihet në bazë të marrëveshjes. Ata nuk marrin përgjigje, shkojnë nga Kryeministria në ministri, nga ministria në Kryeministri dhe asnjë zgjidhje”, – tha Bumçi.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, informoi se në këtë drejtim është punuar me takime dypalëshe, por nuk shpjegoi se pse nuk është ngritur komisioni. “Lidhur me marrëveshjen mes Kishës Katolike dhe shtetit shqiptar, më duhet të them, se ajo është bërë para disa kohësh. Për herë të parë, me kërkesë të kryeministrit kemi thirrur në Ministrinë e Jashtme drejtuesit e kishës katolike, jo një herë, por disa herë gjatë kësaj periudhe. Kemi dëgjuar problemet e tyre, dhe kryesisht janë të karakterit pronësor.

Çështja e pronave është një çështje e vështirë në Shqipëri. Problematikat që paraqitën përfaqësuesit e Kishës Katolike në Shqipëri dhe avokati i Kishës, ishin kryesisht të kësaj natyre. Ajo që bëmë ne, dhe që vazhdojmë ta bëjmë, është në proces, pasi problemet pronësore nuk zgjidhen me një dëshirë të mirë apo me një akt të vetëm. Duhet të evidentojmë problematikën. Jemi në fazën që po evidentojmë se cilat probleme mund të zgjidhen me një akt të ekzekutivit, cilat mund të zgjidhen me vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe cilat pastaj janë probleme të pazgjidhshme. Marrëveshja është prej disa vjetësh; është herë e parë që mblidhemi dhe ka impenjim për ta zgjidhur”, – tha Qirko.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb