Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ALUIZNI do të ngrenë një grup të përbashkët pune për kompensimin e pronave të komuniteteve fetare dhe për legalizimin e objekteve pa leje të ndërtuara deri tani.

Komunitetet fetare do t’i dorëzojnë ALUIZNI-t dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave evidencat e sakta mbi pronat e tyre në të gjithë vendin para dhe gjatë sistemit komunist. Marrëveshja u arrit në takimin e zhvilluar dje me përfaqësues të tri komuniteteve fetare me kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave, Sonila Qato.

Takimi
Sipas të dhënave, situata në Shqipëri për trojet që u përkasin komuniteteve fetare është problematike për shkak se, gjatë kohës së komunizmit dhe në vitet e tranzicionit mbi këto toka janë ndërtuar objekte banimi pa pasur një leje ndërtimi. Legalizimi i ndërtimeve dhe kompensimi i pronave të zëna pritet të marrë fund, përmes një bashkëpunimi mes ALUIZNI-t dhe Agjencisë se Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nën administrimin e së cilës do të ngrihet edhe një njësi e posaçme për trajtimin e 236 dosjeve të komuniteteve fetare.

Sipas të dhënave zyrtare, 172 dosje janë nga Komuniteti Mysliman, të cilat me ligjin e ri do të kenë shqyrtim të menjëhershëm, 4 dosje janë të Komunitetit Katolik dhe 2 dosje të Komunitetit Bektashian. Ndërkohë, gjatë viteve janë marrë 276 vendime që njohin të drejtën e kompensimit. “Një njësi le të themi administrative, e cila do të trajtojë vetëm dosjet apo kërkesat për njohje pronësie të paraqitura nga ana e komuniteteve fetare. Këtij procesi të tejzgjatur 25-vjeçar duhet t’i vijë fundi brenda një mandati 3-vjeçar, ashtu sikurse e parashikon ligji i ri, ku numrin më të madh të kërkesave për njohje pronësie e ka Komuniteti Mysliman. Ndërkohë ka rreth 276 vendime të marra ndër vite, nga 1993-shi deri më sot, të cilat u njohin të drejtën e kompensimit komuniteteve fetare”, – tha Sonila Qato.

Ndërkohë, Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t vuri në dukje faktin se ndërtimet pa leje në trojet e komuniteteve fetare kanë ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverive të kaluara. “Vetë komunitetet fetare kanë ndërtuar pa leje në mënyrë masive, d.m.th. për sa i takon përqindja e tyre në raport me popullsinë, po aq kanë ndërtuar si gjithë pjesa tjetër e popullsisë pa leje, dhe organizmat shtetërorë kanë qenë në shumë raste shumë të paaftë t’i pajisin me leje paraprakisht. Në 10 vite janë legalizuar 30 objekte fetare, të identifikuara kemi 957 objekte kulti që kanë bërë vetëdeklarim për t’u legalizuar. Ka një numër objektesh fetare të padeklaruara”, – tha Lame. Deklaratat u bënë dje, gjatë prezantimit të studimit “Të drejtat e pronësisë të komuniteteve fetare në vend”, mbështetur nga shteti kanadez.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: