NGA: ORNELA MANJANI*
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përcaktu ar procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. ATP bën njoftimin sa herë çelet ky buxhet dhe fton subjektet të plotësoje formularin tip. FORMULARI Pronarët e prekur nga ndërtimet pa leje duhet të paraqesin pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kërkesën për kompensim dhe bashkëngjitur saj, 5 dokumente. Kërkesën ata mund ta sigurojnë në agjenci, ose ta shkarkojnë nga faqja zyrtare e saj. Në radhën e dokumenteve që duhet të dorëzojnë është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, duhet të çojnë certifikatë familjare të personit për të cilin është lëshuar dëshmia e trashëgimisë. Pronarët duhet të marrin edhe vërtetim nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare, ku do të transferohet vlera financiare e përfituar. Të rëndësishme për plotësimin e dosjes janë dhe fotokopja e dokumentit të identifikimit, certifikata familjare e kërkuesit dhe mandatpagesa që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit. Gjithashtu, ATP-ja kërkon edhe prokurën e posaçme të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre.

Prokura duhet të përmbajë formulimin: “Përfaqësuesit tonë i japim tagër dhe kompetencë të plotë që të veprojë në emër dhe për llogarinë tonë. Të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin përkatës pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Tiranë për ndjekjen e procedurës së kompensimit në zbatim të VKM-së përkatëse, si dhe të drejtën për të tërhequr vlerën financiare të kompensimit, pranë ATP, Tiranë”. Institucioni thekson se në rastin kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.
(Lajmin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: