NGA: ORNELA MANJANI
Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon dy nene të ligjit për pronat. Thelbi i ndryshimeve është vlerësimi me zërin kadastral aktual për dosjet që janë në shqyrtim dhe kthimi fizik i pronës atje ku është e lirë, duke u dhënë përparësi ishpronarëve. Qeveria ka dy muaj kohë të reflektojë në ligj ndryshimet e diktuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

ARGUMENTI PËR NDRYSHIMET
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese thekson se ndalet në vlerësimin e nenit 6 të ligjit objekt shqyrtimi. Kjo dispozitë, në pikat 1 dhe 2, ka parashikuar metodologjinë e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke përcaktuar: “a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.” Gjykata vëren se në përmbajtjen e pikave 1 dhe 2 të nenit 6 të ligjit nr.133/2015 janë materializuar parimet kryesore të formulës së kompensimit. Pjesa tjetër e nenit 6 rregullon situata të veçanta; si pjesë e metodologjisë së kompensimit gjejnë zgjidhje edhe në dispozita të tjera të ligjit. Neni 6 në pikën 3 parashikon: “Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni”. Ndërsa pika 5 e ligjit parashikon: “Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATPsë.” Gjykata vlerëson se këto dy pika, sipas përmbajtjes së tyre, të çojnë në përfundimin se ato janë konceptuar si një shpronësim i ri duke qenë se parashikojnë rivlerësimin e pronave të kthyera ose të kompensuara më parë. Në këtë këndvështrim, këto dy dispozita krijojnë probleme lidhur me sigurinë juridike konkretisht për sa u takon paqartësisë dhe paparashikueshmërisë së legjislacionit.

LIGJSHMËRIA
Në këtë kontekst ligjvënësi duhet të mbajë parasysh se deri në çfarë mase kompensimi fizik i parashikuar në nenin 6, pika 3 dhe 5, plotësohet nga nenet e tjera të ligjit për të mos pasur mbivendosje ose përplasje midis dispozitave të ligjit. Parashikimi i rregullimeve të përsëritura dhe të pakoordinuara midis tyre në thelbin dhe pasojat që ato sjellin krijojnë paqartësi dhe për rrjedhojë cenojnë parimin e sigurisë juridike. Në këto kushte, Gjykata çmon se përmbajtja e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit 133/ 2015 nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, pasi përllogaritja e sipërfaqes së përfituar dhe asaj që do të zbritet ose shtohet sipas formulës së parashikuar në pikën 1 të nenit 6 është e paqartë dhe krijon konfuzion në zbatim sa i takon pritshmërive të shtetasve. Gjykata vlerëson se për sa u përket dispozitave të tjera të kundërshtuara prej kërkuesve, ato parashikojnë, forma të ndryshme të kompensimit, të cilat synojnë të vendosin një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave të ndryshëm. Referuar edhe opinionit amicus curia për këtë çështje, Komisioni i Venecias ka vlerësuar se për sa u përket vendimeve që përcaktojnë kthimin apo kompensimin vetëm me sipërfaqe dhe jo me vlerë monetare, nuk është e qartë se deri në çfarë mase ngrihet çështja e pritshmërisë legjitime. Relacioni shpjegues i ligjit nr.133/ 2015 argumenton se nuk është hartuar asnjëherë ndonjë skemë përfundimtare kompensimi, me një shifër konkrete kompensimi, e cila do të krijonte një “pritshmëri legjitime”. Për sa u përket individëve që ende nuk kanë marrë një vendim të formës së prerë nga organet administrative apo gjyqësore, i cili u njeh atyre të drejtën e kthimit apo kompensimit të pronës, qeveria shqiptare i referohet çështjes Bici kundër Shqipërisë për të justifikuar se këta individë apo entitete nuk janë pronarë dhe nuk kanë krijuar pritshmëri legjitime, pasi e drejta e tyre nuk është njohur në nivel kombëtar.

VENDIMET E FORMËS SË PRERË
Gjykata, lidhur me dispozitat që parashikojnë që vendimet gjyqësore ose administrative të formës së prerë, të cilat parashikojnë dhënien e një mase të caktuar kompensimi, por që ende nuk janë ekzekutuar, vlerëson se ato ngrenë çështjen e “pritshmërisë legjitime”, por sipas ligjit nuk do t’i nënshtrohen rivlerësimit. Prandaj për këto raste nuk mund të thuhet se ka “ndërhyrje” në kuptim të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të GJEDNJ- së, për sa kohë këto vendime do të ekzekutohen. Për sa u përket vendimeve që përcaktojnë kthimin ose kompensimin vetëm me sipërfaqe dhe jo me vlerë financiare, skema e re e kompensimit, e parashikuar nga ligji nr.133/2015, ndryshoi metodën e vlerësimit, e cila mund të rezultojë në një masë kompensimi më të ulët. Ndonëse masa më e ulët e kompensimit nuk mund të cilësohet si shpronësim formal, ajo mund të cilësohet mjaft mirë si “ndërhyrje të tjera” sipas nenit 1 të Protokollit nr.1 të GJEDNJ-së. Megjithatë, Gjykata vlerëson, se ekziston një bazë ligjore mjaftueshëm e qartë dhe e detajuar për ndërhyrjen në këtë çështje. Po ashtu, siç u theksua më lart, ndërhyrja duket se ndjek një qëllim legjitim, pasi qëllimi i ligjit nr.133/2015 është përfundimi efektivisht i procesit të trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të saj brenda një afati të arsyeshëm (10-vjeçar).

ANKIMIMI NË GJYKATË
Kërkuesit kanë pretenduar se ligji cenon të drejtën e ankimit, pasi duke parashikuar vetëm ankimin e vendimeve të ATP-së në Gjykatën e Apelit, praktikisht ka pamundësuar ankimin e vendimit gjyqësor në një gjykatë më të lartë, duke qenë se vendimet e Gjykatës së Apelit janë vendime të formës së prerë dhe përfundimtare dhe Gjykata e Lartë është gjykatë e ligjit, dhe si e tillë nuk mund të investohet në fakte të çështjes. Gjithashtu, subjektet e shpronësuara nuk mund të kundërshtojnë në gjykatë metodologjinë e vlerësimit, pra mënyrën se si është vlerësuar prona e kompensuar por vetëm vleftën financiare. Neni 19, parashikon të drejtën e ankimit ndaj vendimit të ATP-së vetëm për vlerën e kompensimit, pra pronari nuk ka të drejtë të kundërshtojë metodologjinë ku bazohet vlerësimi. Pra, kufizimi i së drejtës së ankimit lidhet edhe me themelin e ankimit jo vetëm me shkallën e gjykatës ku ai shqyrtohet. Sipas parashtrimeve të subjekteve të interesuara, ankimi në Gjykatën e Apelit bën të mundur moszgjatjen e procedurave dhe mbylljen sa më të shpejtë të procesit.

Shteti shqiptar i ka qëndruar asaj që kjo gjykatë dhe GJEDNJja ka thënë: këto vendime janë kuazi gjyqësore dhe duhen ekzekutuar. Nuk ka kompetencë asnjë organ administrativ t’i rishikojë ato, prandaj nuk ka një rishikim por vetëm një plotësim të vendimit. Sipas Këshillit të Ministrave, është konstatuar se këto vendime nuk janë ekzekutuar asnjëherë sepse ato nuk kanë një vlerë të përcaktuar qartë. Nëse ato do të kishin një vlerë ekonomike apo financiare, do të ishin ekzekutuar nëpërmjet sistemit të zakonshëm. Mosekzekutimi i vendimeve lidhet me mungesën e vlerësimit të tyre dhe ky ka qenë një proces i qëllimshëm për të mos i ekzekutuar ato. Kështu që sot ligji i ri u jep një vlerë ekonomike në mënyrë që të ekzekutohen. Lidhur me këtë pretendim Gjykata në praktikë të vazhdueshme ka vlerësuar se kontrolli gjyqësor ndaj akteve me karakter administrativ, duke qenë shprehje e parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve e duke qëndruar në themel të pavarësisë së organeve, ka ndryshime thelbësore nga kontrolli administrativ që kryhet në rrugë hierarkike apo nga organe të krijuara posaçërisht. Dallimet qëndrojnë, krahas të tjerave, në rrafshin procedural, në kuptim që gjykatat në kontrollin e këtyre akteve respektojnë rregullat e parashikuara në legjislacionin procedural dhe nuk mund të interferojnë e as të adaptojnë procedura administrative.

Gjykata e vlerëson këtë pretendim në lidhje me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës. E drejta për t’iu drejtuar gjykatës, ndër të tjera, ka për qëllim të garantojë shtetasit nga çdo veprim që u shkakton cenim të të drejtave të tyre, pa përjashtuar rastet kur cenimi vjen nga ndonjë akt i administratës shtetërore. Shteti i së drejtës presupozon që çdo ndërhyrje e autoriteteve ekzekutive në të drejtat e individit apo të personave juridikë duhet të jetë objekt i një kontrolli efektiv nga një organ që ofron garantimin e pavarësisë dhe paanësisë gjatë procesit të shqyrtimit të procesit (shih vendimin nr.10, datë 29.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Në një rast të ngjashëm, Gjykata konstatoi se e drejta e ankimit gjyqësor ndaj vendimeve të një organi administrativ, duke parashikuar mjetin dhe afatin e ankimit plotësonte standardin kushtetues të së drejtës së ankimit. Për rrjedhojë, Gjykata çmoi se parashikimi ligjor ishte i mjaftueshëm për të realizuar të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj akteve administrative që nxjerr organi administrativ (shih vendimin nr. 25, datë 28.04.2014 të Gjykatës Kushtetuese). Në çështjen konkrete për shqyrtim, Gjykata vlerëson se e drejta e ankimit e parashikuar nga ligji nr. 133/2015 i plotëson kriteret për të pasur një kontroll gjyqësor të akteve të nxjerra nga organe administrative ose kuazi gjyqësore. Pretendimi i kërkuesve se nuk duhej parashikuar si shkallë e ankimit Gjykata e Apelit por gjykata administrative e shkallës së parë si gjykatë kompetente për shqyrtimin e ankimit ndaj vendimeve të ATP-së, nuk është i bazuar. Gjykata thekson se shteti nuk ka detyrim të parashikojë më shumë se një shkallë ankimi, për sa kohë që ka një ankim në një gjykatë të parashikuar me ligj, në kuptim të nenit 43 të Kushtetutës si dhe nenit 13 të KEDNJ-së. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kriteri i kontrollit gjyqësor të akteve të pushtetit publik është i garantuar nga ligji objekt shqyrtimi.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb