Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar dje regjistrin e vendimeve për individët që u është njohur e drejta për kompensimin e pronave për vitet 2001-2013. Janë në total 3700 pronarë, të cilëve u është njohur e drejta e kompensimit dhe vlerësimi financiar për çdo pronë.

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar edhe regjistrin e përditësuar të vendimeve, të cilat kanë njohur të drejtën për kompensim dhe të vlerësimeve për vitet për 12 vitet e fundit. Pronarët që kanë një vendim mund të përfitojnë edhe nga pagesat e përshpejtuara. Ata duhet të paraqiten në ATP dhe plotësojnë formularin-tip, të zgjedhin një nga tre afatet që parashikon ligji, pagesë brenda vitit, brenda 3 vjetëve ose brenda 5 vjetëve. “Gazeta Shqiptare” publikon formularët që mund të plotësohen për të përfituar nga përparësitë që jep ligji i ri për të marrë kompensimin me procedurë të përshpejtuar, apo për të marrë pjesë në ankande.

Tri afatet
Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tri vitesh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçëm është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti, pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht.

Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjitha subjektet kërkuese që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

Listën e plotë me emrat e gjeni sot në Gazeta Shqiptare print, në çdo pikë shitjesh.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/08/07/pronat-kompensimi-per-vitet-2001-2013-perfitojne-3700-persona/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: