Nga: MENTOR KIKIA*
Ishte një teatër i shëmtuar. Jo vetëm seanca e fundit plenare e Kuvendit, ku dështoi votimi apo miratimi i një ligji që synon të pengojë njerëzit e inkriminuar të futen në politikë, duke filluar që nga zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, por i gjithë procesi. Pas zhurmës së madhe dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për t’i dhënë fund edhe krizës së bojkotit të opozitës, krijimi i një komisioni të posaçëm për dekriminalizimin na bëri të mendojmë se në xhunglën e politikës sonë do të viheshin disa rregulla. Le të jemi të drejtpërdrejtë. Mua personalisht më ka lodhur skamja dhe mungesa e rregullit në këtë vend. Por më shumë se kaq më neverit fakti kur shikoj se si gjysma e Parlamentit, në mos më shumë, përbëhet nga njerëz pa asnjë kontribut politik e publik, por janë ca tregtarë, kontrabandistë, biznesmenë që vijnë edhe nga bota e krimit, e kriminelë safi që ende nuk kanë shpëlarë dosjet e tyre dhe nuk dinë ende kë emër të përdorin si zyrtar, për shkak të llagapeve që mbanin kur trafikonin drogë e prostituta. Më neverit fakti që një copë kryetar komune rezulton me pasuri të padeklaruara 3 milionë euro, një palo kryetar bashkie e ka shndërruar qytetin në “kompani” të vetën dhe e trajton atë si një kantier ndërtimi apo magazinë shumice për punët e tij. Më neverit fakti ku ky soj njerëzish që i kanë bërë paratë në “kooperativën” e krimit apo atë të zhvatjes e korrupsionit, kandidohen apo rikandidohen duke paguar partitë e më pas zgjidhen duke blerë votat e fukarenjve me paratë që në fakt do ua vjedhin po atyre pastaj, disa fish më shumë.
Ky është një fenomen që është shndërruar në rregull në politikën tonë, rregull që ka shkatërruar në gjenezë demokracinë tonë që s’u bë asnjëherë e vërtetë.
Në këto kushte, vetë partitë ranë dakord që do të bënin një ligj, pra, që këta njerëz të mos lejoheshin as të kandidojnë, as të emërohen në poste të larta.
Por ne besuam, duke harruar se ata që do të bënin këtë ligj ishin po ata që duhet të ndëshkohen nga ky ligj dhe këtu ka një kontradiktë të madhe. Ndaj dhe partitë nxituan të listojnë kriminelët apo hajdutët e partisë kundërshtare sapo ambasadori amerikan tha se në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore ka të inkriminuar. Që këtu u pa se ata s’kanë për ta bërë kurrë këtë punë dhe vërtet, të dyja palët filluan t’i shtojnë nene nga sipër e tij heqin nga poshtë këtij ligji, duke u kujdesur se kush e kush të shpëtojë horrat e vet që ndërkohë i kanë futur në lista. Dhe fundi ishte që ligji nuk u bë.
Tani unë jam i bindur se ky ligj nuk do të bëhet, apo njësoj, edhe në u bëftë nuk do të zbatohet sepse secila palë mendon se ai po bëhet për “ata” dhe jo për “ne”. Ndaj propozoj një tjetër mënyrë për të bërë dekriminalizimin. Atë mund ta bëjmë vetëm ne, me votë. Po po, ne me votë mund t’i ndalojmë. Çdo kush, në qytetin apo krahinën e tij, e di se cili është ai që na kanë vënë në listën e kandidatëve, qoftë për kryetar bashkie, qoftë për deputet. Në çdo qytet ua dinë origjinën e bizneseve atyre që ngrenë pallate, atyre që kaparditen me puro si në mbledhjen e kartelit, atyre që krenohen me lapidarët përkujtimorë që kanë shkaktuar, atyre që kapardisen rrugëve se si i shpëtuan paq drejtësisë kur u kapën në Belgjikë, Itali apo Holandë. Atyre që vetë nxjerrin xhepat e shpuar dhe kanë lëshuar rrugëve fëmijët, dhëndurët e baxhanakët të bëjnë biznes në kurriz të qytetit dhe vendit. Po po, të gjithë i njohim dhe i përflasim rrugëve e nëpër kafene. Ne nuk kemi fuqi t’i fusim në burg ata, pasi ata edhe burgun e kanë nën kontroll. Por ne kemi në dorë të mos i votojmë.
Qofshin të majtë apo të djathtë, votuesit duhet të lënë mënjanë flamurin e partisë dhe të refuzojnë t’ia japin votën atij që e njohin se cili është. Nëse realisht do të duam të shpëtojmë nga hajdutët që blejnë kandidimin dhe votën, e pastaj na shesin neve me gjithë qytet e fshat, ne duhet të mos i votojmë ata. Ky është dekriminalizimi më i mirë. Ndryshe të mos presim që hajdutët të bëjnë një ligj kundër vetes.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: