NGA XHENSILA KODRA

TIRANE-
Pas deklaratës së bërë publike nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tha se shumë shpejt do propozojë një amendim në Kodin Penal, në mënyrë që aksidentet me pasoja në shëndetin apo jetën e njerëzve të mos quhen më “Aksidente me pasojë vdekjen”, por “Vrasje”, ekspertët kanë nisur punën për ndryshime në këtë draft. Këtë deklaratë ministri e bëri vetëm një ditë pasi efektivi në Kamëz u aksidentua për vdekje nga një person që udhëtonte nën efektin e alkoolit.

Mësohet se drafti ku do të propozohen ndryshime është ende në diskutim dhe pritet që fillimisht të kalojë në Vendimin e Këshillit të Ministrave e më pas në parlament. Një ndër propozimet e bëra nga ekspertët është pika 2 e nenit 290. Kjo pikë është edhe dënimi më i rëndë i propozuar prej tyre, në të cilin thuhet se çdo person që është nën ndikimin e drogës apo alkoolit që shkakton me automjet vdekjen e një personi, dënohet nga 8 deri në 10 vite burg.

“Cilido duke drejtuar një mjet me motor në gjendje të dehur, ose turbullimi/ ndryshimi psiko-fizik, rrjedhojë e marrjes së substancave droguese ose psikotrope, në zbatim të përcaktimeve 184 dhe 185 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë – ligji nr.8378 datë 22.07.1998, shkakton nga pakujdesia vdekjen e një personi dënohet me burgim nga tetë vite deri në dhjetë vite”, thuhet në pikën 2 të nenit 290. Ndërsa, në pikën 1 të po këtij neni thuhet: “Cilido që shkakton nga pakujdesia vdekjen e një personi duke shkelur normat e sjelljes që disiplinojnë qarkullimin rrugor, dënohet me burg nga 2 deri në 7 vite”.

Ndërsa, në qoftë se drejtuesi i mjetit shkakton vdekjen e më shumë njerëzve, apo vdekjen ose plagosjen e një apo më shumë personave, aplikohet dënimi që duhet zbatuar për shkeljen më të rëndë, të rritur deri në tri herë, por dënimi nuk mund të tejkalojë 18 vite burgim. Ndëshkimi rritet edhe për drejtuesit e mjeteve që pas aksidentit me pasojë vdekjen ose plagosjen e personave largohet nga vendi i aksidentit, dënimi shkon deri në 5 vite burg. Gjithashtu, mësohet se ndëshkimet e reja të propozuara për shkelësit e ligjit prekin dhe drejtuesit e motorëve dhe çiklomotorëve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb