Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas burimeve, Kurti dhe Vuçiç e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në rundin e ri të dialogut dhe temë e takimit pritet të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit të organizuar nga Borrell, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të ketë takime të veçanta me ta.

Kurti dhe Vuçiç nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb