Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se propozimi franko-gjerman është një bazë e mirë për dialogun mes Prishtinës e Beogradit.

Në një prononcim për median austriake APA kreu i ekzekutivit të Kosovës është shprehur se e mira e një propozimi të tillë është se bazohet në vlera dhe jo vetëm në zgjidhjen e problemeve siç ka qenë qasja e mëparshme. Megjithatë Kurti  ka theksuar se propozimi franko-gjerman ka shumë mangësi.

Ai është treguar optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë duke deklaruar se shanset janë shumë të mira që ajo të arrihet përgjatë administratës së Joe Biden dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Njohja reciproke nuk do të jetë e vetmja çështje, por duhet të jetë pjesa qendrore”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai ka treguar synimin e Kosovës për të dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE rreth fundit të vitit.

“Ne duam të tregojmë publikisht që duam të bashkohemi në BE”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb