Tre deputetë të grupit parlamentar socialist kanë depozituar në kuvend një ndryshim në ligjin për ‘sistemin e taksave vendore’. Propozuesit janë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, dhe deputetet Evis Kushi e Klotilda Bushka. Ndryshimi në ligj që ata kërkojnë synon të nxisë legalizimin e pronave duke hequr si kusht ligjor detyrimi, parapagimin e taksës së infrastrukturës për ndërtimet të cilat janë në proces legalizimi.

Aktualisht për të gjithë pallatet dhe banesat e ndërtuara pa leje, ligji për taksat vendore parashikon një taksim prej 0.5% të vlerës së investimit, si taksë për ndikimin në infrastrukturë dhe ky është një kusht që duhet të plotësohet përpara se të lëshohet leja e legalizimit nga autoritetet.

Propozuesit thonë se kjo nuk heq detyrimin e pagimit të kësaj takse, por vetëm kushtëzimin që leja e legalizimit mund jepet vetëm nëse paguhet kjo takse. Nevoja për këtë ndryshim erdhi pasi ishte konstatuar se ky proces po pengonte dhe vononte legalizimet.

Sipas relacionit shpjegues ALUIZNI miratonte lejen e legalizimit dhe pas kësaj njoftonte bashkinë në mënyrë që kjo e fundit të llogariste dhe njoftonte përfituesin e lejes. Bashkia pasi merrte njoftimin llogariste vlerën e detyrimit të përfituesit për taksën e ndikimit në infrastrukturë duke njoftuar më pas subjektin për të kryer pagesën e taksës. Por pasi subjekti kryente pagesën e taksës dorëzonte në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës vërtetimin për shlyerje. E gjithë kjo sipas relacionit ka sjellë vonesë të konsiderueshme në miratimin e lejes për shkak të kohëzgjatjes së procedurës dhe si pasojë, mosinteresimin e subjekteve për përfundimin e procesit. Kushtëzimi për të paguar taksën përpara marrjes së lejes u vu në vitin 2018, ndërsa më parë individët mund ta paguanin të shtrirë në kohë, që zgjaste edhe deri në 1 vit. Sipas të dhënave përpara vitit 2018 rreth 80% e qytetarëve që legalizonin pronën e tyre e paguanin taksën e ndikimit në infrastrukturë në një periudhë të shtrirë në kohë çka në ato vite ka sjellë  interesim më të madh të qytetarëve. Ndërsa pas ndryshimeve në ligjin e vitit 2018 interesimi i qytetarëve dhe subjekteve për parapagimin e kësaj takse pësoi një rënie drastike duke ulur në këtë mënyrë numrin e legalizimeve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb