Komisioni Rregullator miraton propozimin e opozitës për të ndaluar qeverinë të japë koncensione dhe PPP 4 muaj para zgjedhjeve. Projektvendimi që u miratua nga Komisioni Rrrgullator u përgatit dhe u propozua nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ndërkohë që propozim i opozitës ishte ndalimi për dhënien e koncesioneve apo PPP-ve nga qeveria 4 muaj para zgjedhjeve.

Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se propozimi u pranua edhe nga përfaqësuesi i PS në KQZ Eridian Salianji, edhe pse tha se këto nuk janë përcakuar në ligjin zgjedhor. Propozimi u miratua me 5 vota nga Komisioni Rregullator.

NJOFTIMI I KQZ
KQZ miraton unanimisht kategoritë e veprimtarive të ndaluara dhe rregullat për raportimin e veprimtarive publike nga institucionet. Komisioni Rregullator shqyrtoi projekvendimin “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, në prezantimin e projektaktit theksoi rëndësinë e miratimit të tij, me qëllim marrjen e masave, monitorimit dhe parandalimit të veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe të administratës shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 muaj para zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, si dhe gjatë fushatës zgjedhore. Komisioneri tha se dispozitat e këtij projektvendimi kanë si qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve dhe partive politike, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime politike.

Pas shqyrtimit në parim dhe nen për nen, Komisioni Rregullator unanimisht vendosi miratimin e projekvendimit.

Gjithashtu, Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e rregullave dhe modaliteteve për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyrë ose shërbimeve, huave dhe kredive për qëllime zgjedhore ose politike të përfituara nga partitë politike dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore”. Akti ka si qëllim përcaktimin e rregullave dhe modaliteteve për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyrë ose shërbimeve, huave dhe kredive për qëllime zgjedhore ose politike, të përfituara nga partitë politike dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb