Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.

Gjatë aksionit policor është arrestuar menaxheri i një qendre masazhi, 35-vjeçari F. H., i cili kishte përshtatur biznesin për shfrytëzim prostitucioni, ndërsa janë vënë nën hetim 4 shtetase.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga, për shfrytëzim prostitucioni dhe për përshtatje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni, menaxheri i një qendre masazhi.
Procedohen penalisht dhe 4 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Në bazë të provave të grumbulluara, si rezultat e një pune disamujore, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. H., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet njoftimeve në gazetë, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: