Në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, këshilluesi për mjekësinë holistike, Nikol Ndoni, solli një këndvështrim ndryshe për rolin e ushqimeve në shëndetin e njeriut, duke vënë theksin te rëndësia e proteinave dhe yndyrnave, përkundër karbohidrateve.
“Proteinat dhe yndyra janë të domosdoshme për organizmin dhe nuk duhet të mungojnë në dietën tonë. Karbohidratet i konsumojmë në sasi të mëdha, por nuk janë thelbësore për trupin,” deklaroi Ndoni.
Ai theksoi se burimi më i mirë i proteinave cilësore është mishi dhe peshku, ndërsa sa i përket mineraleve, veçoi kalciumin dhe fosforin si thelbësorë për shëndetin e kockave. Sipas tij, përthithja e kalciumit përmes produkteve të qumështit është e vështirë, pavarësisht se vendet nordike, që janë prodhues të mëdhenj bulmeti, përballen me probleme të densitetit kockor.
Ndoni ngriti gjithashtu shqetësimin se drithërat, ndonëse të konsumuara gjerësisht, jo vetëm që nuk ushqejnë sa duhet, por pengojnë përthithjen e mineraleve nga ushqime të tjera: “Kur heqim drithërat nga dieta, trupi përthith më shumë kalcium nga burime bimore.”
Ai përmendi edhe rolin jetik të fosforit dhe natriumit, që sipas tij janë shpesh të nënvlerësuar në bisedat mbi shëndetin ushqimor.