TIRANE

Në një kohë që studentët nuk heqin dorë nga protesta në mbrojtje të 8 kërkesave të tyre, Avokati i Popullit ka kërkuar përgjysmimin e tarifave të studimit.

Përmes një reagimi zyrtar, ky institucion shkruan se ka dy vite që kërkon përgjysmim apo heqje tarifash studimi për studentët në pamundësi ekonomike apo edhe me aftësi të kufizuara.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit ka edhe një apel për të gjithë institucionet që neglizhojnë rekomandimet, ndërsa kërkon që autoritetet arsimore të dëshmojnë me veprime konkrete plotësimin e kërkesave të dërguara.

Reagimi i plotë

Institucioni i Avokatit të Popullit prej dy vjetësh kërkon që të përgjysmohen ose të hiqen tarifat e studimit për kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, ata me aftësi të kufizuara dhe invalidët.

Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave.

Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018.

Ministria e Arsimit, Universiteti i Tiranës në pothuajse të gjithë fakultetet e tij, e po ashtu edhe Universiteti I Elbasanit kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime nga ana e Avokatit të Popullit me anë të të cilave është kërkuar zbatimi i politikave sociale që të bëjnë të mundur përjashtimin ose përgjysmimin e tarifave për këto kategori studentësh.

Pothuajse të gjitha kërkesat dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka dërguar pranë këtyre institucioneve gjatë dy viteve, kanë marrë përgjigje sipërfaqësore, të përgjithshme dhe pa asnjë angazhim konkret. Në disa raste, kërkesat tona janë injoruar plotësisht dhe vetëm në dy raste individuale është marrë në konsideratë ulja e tarifës për studentët ankues.

Nuk ka pasur një qëndrim pozitiv nga ana e institucioneve për të miratuar një politikë të qëndrueshme në lidhje me këto grupe vulnerabël të shoqërisë në linjë me të drejtat e tyre të miratuara në ligjet specifike që rregullojnë të drejtat e tyre.

Avokati i Popullit apelon që të marrë fund praktika e neglizhimit të rekomandimeve që ky institucion bën, pasi përvoja e viteve të fundit dëshmon se në çdo rast që ka pasur neglizhime të tilla nga ana e autoriteteve tona përgjegjëse pakënaqësia e qytetarëve në një kohë të dytë u ka dhënë të drejtë pretendimeve tona.

Gjithashtu, institucioni i Avokatit të Popullit u kërkon autoriteteve arsimore që sa më parë të dëshmojnë me veprime konkrete vullnet për plotësimin e atyre rekomandimeve të dërguara nga Avokati i Popullit në lidhje me kategoritë e studentëve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë.

Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb