TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes, Arben Imami zbuloi detaje të reja nga protesta e 18 shkurtit e opozitës, në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News 24.

Ndonëse siguron se nuk është parashikuar i njëjti skenar si më 21 Janar të 2011-ës, kur opozita e asaj kohe, siç tha ai nxori në bulevard 300 banditë që qëlluan kryeministrinë, nuk mund të parashikohet reagimi që do kenë njerëzit.

“Nuk e dimë çfarë reagimi do kenë qytetarët pas orës 12:00. Nuk do të ketë dhunë, nuk do të ketë 21 janar sepse kjo parti është demokratike, nuk merr 300 apo 400 rrugaçë, por ne nuk e dimë çfarë do ndodhë, nuk e dimë çfarë reagimi do kenë qytetarët”,- tha Imami.

Imami shtoi ndër të tjera se, protestës do i bashkohen edhe shumë intelektualë. “Ka persona nga shoqëria civile dhe intelektualë që do marrin pjesë në protestë për arsyet e tyre, për ato çështje që iu duket e drejtë”.

“Rama kufomë politike, kjo qeveri bie”
Duket se protesta e opozitës ka si qëllim të largojë kryeministrin Edi Rama. Të paktën këtë la të kuptohet deputeti i PD-së, Arben Imami i pyetur nga gazetari Ylli Rakipi. “Edi Rama është një kufomë politike, kjo çështje ka mbaruar. Në mes të Europës një kryeministër i përfshirë në prodhimin masiv të kanabisit po shkatërron ekonominë e vendit të tij, shëndetin e qytetarëve. Paratë e dhunës, të krimit nuk ushtrojnë forcë. Nuk ka asgjë më të fortë se një qytetar i ndershëm që proteston. Qëndresa e atyre qytetarëve do ta realizojnë këtë. PD ka detyrë t’i japë infrastrukturë kësaj gjëje, të bëjë një premtim dhe angazhim që do të ketë një qeverisje shumë më të mirë se ç’ka pasur. Kjo qeveri bie..më pas vendos qytetari dhe vota e tij. Një qeveri i inkriminuar nuk mund të qëndrojë më në këtë vend”,- shtoi ai.

Flasin analistët
Më tej, kryeredaktori i gazetës ‘Panorama’, Robert Rakipllari tha se protesta e opozitës nuk do jetë një tubim dhe disa fjalime, por do zgjasë deri në një afat të pacaktuar.

“Di që nuk do jetë një protestë që s’do mbarojë si gjithë të tjerat, di që do vazhdojë edhe gjatë natës, nuk është e përcaktuar sa zgjat. Por një arsye madhore për të protestuar ekziston, faktet janë të qarta, zgjedhjet janë të kërcënuara seriozisht”,- tha ai.

Ndërsa analisti Fatos Lubonja tha se opozita ka dy arsye kryesore për të protestuar, zgjedhjet e lira dhe korrupsionin.

“Nuk mendoj të ketë zgjedhje të lira në këtë situatë kur është kapur ekonomia, kur janë kapur mediat kur janë kapur njerëzit dhe kërcënohen me bukën e gojës. Megjithatë protesta është e vërtetë kur dalin njerëzit, jo kur dalin militantë”,- shtoi ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: