Publicisti dhe analisti Fatos Lubonja i ftua në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur mbi protestën e njoftuar nga opozita në datën 6 dhjetor ndërsa tha se qytetarët dhe opozita duhet të protestojnë para syve të delegatëve perëndimorë që do marrin pjesë në samitin e BE-së pasi sipas tij ky samit nënkupton një ngjarje që e normalizon qeverisjen në vend.

Lubonja sakaq foli edhe për projektin e ndërtimit të portit të Durrësit teksa tha se në këtë projekt nuk po punon shteti, por mafia ndërsa shtoi se ndërtimi do jetë një akt mafioz dhe synim mizerabël. Ai tha gjithashtu se ky projekt i duhet Shqipërisë për pastrimin e parave të pista që është e vetmja industri që vendi ka ndërtuar.

I pyetur për aferën e inceneratorëve dhe zhvillimet e fundit ai tha se fajtorët e vërtetë të kësaj skeme janë lart në qeveri ndërsa personat e shpallur në kërkim janë thjesht instrumente pasi sipas tij nuk veprimtaritë e kryera në aferë nuk mund të ndodhnin pa ndërhyrjen e kryeministrit.

“Do doja që qytetarët dhe opozita të protestonin edhe para atyre perëndimorëve për ta parë se çfarë ka në Shqipëri, sepse ky samit nënkupton një ngjarje që e normalizon qeverisjen në Shqipëri. Do doja që jo vetëm të bëhej atë ditë, por të protestohej në sytë e atyre perëndimorëve. Ky samit është një fasadë, nuk mund të mbulojë situatën në vend. Këta thonë Shqipëria meriton të hyjë në Evropë, ndërkohë që shqiptarët po ikin andej me gomone. Trupa diplomatike ka përgjegjësinë e tyre për atë që ndodh në vend, dhe tani thotë Yuri Kim të bëhen zgjedhjet për SPAK sa më transparente, kush do bëjë transparencë këtu? Në një regjim si ky ku çdo gjë është e kapur si mund të kesh transparencë?

Rama në çdo veprim që ka bërë me gjoja reforma ka punuar për pushtetin e tij, kush nuk e ka kuptuar këtë është naiv. Mendoj se sot Rama mund të flasë për suksesin e tij në kapjen e drejtësisë, jo në dështimin e reformës në drejtësi. As nuk diskutohet që këtu po ndodh një gjë ku fajtorët janë lart, duke nisur nga kryeministri, si mund të ndodhte afera e inceneratorëve pa miratimin e tij. Janë qartazi një bandë që kanë sakrifikuar një apo dy persona, por në fund rezultati do jetë një fiasko si gjithë të tjerat. Ata që janë në kërkim ndoshta dhe i kapin, por ata që janë kryesorët në këtë histori nuk janë ata, ata janë thjesht instrumente, sepse nuk mund të ndërroheshin politikat e inceneratorëve pa ndërhyrjen e kryeministrit.

Unë e kam quajtur skandal nga më të mëdhatë projektin e portit të Durrësit. Nëse ka një zyrë që ekziston prej një viti në port për të blerë apartamente e biznese në zonën atje kjo provon që këtu nuk punon shteti. Këtu është vendosur nga mafia, nga shteti mafioz. Kemi një kryeministër që përdor Alabbarin si rast pozitiv ku nuk e ka lexuar fare atë shkrimin që postoi. Që këtu del e gënjen kryeministri në këtë mënyrë, nuk mund të kesh besim te shteti. Pastaj na paraqesin sikur do vijë një miliarder që do bëjë namin, ndërsa këta kanë filluar të mbledhin lekët që një vit më parë që të ndërtojë ky miliarderi. Këtu ke të besh me një akt mafioz dhe një vizion mizerabël. Turizëm luksi bëhet në këto vendet arabe kryesisht, nuk ekziston në perëndim si koncept. Kjo është skandaloze, kjo i duhet Shqipërisë për pastrimin e parave të pista që është e vetmja industri që kemi ndërtuar dhe është piramidë. Kjo është një aventurë njerëzish të papërgjegjshëm, kjo është një diktaturë e dytë, banda që nuk bëhen dot parti, nuk e dinë se shteti është përgjegjësi e madhe, dhe një popull që nuk e di se është shtet vet”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb