(Në përditësim) KOSOVË- Protesta e opozitës në Kosovë ka përshkallëzuar në dhunë, 1 orë pas nisjes, pasi liderët e opozitës kërkuan largimin e qeverisë. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike drejt godinës së qeverisë, koktej molotovi drejt policisë si dhe janë përplasur me ta. Përpara godinës së qeverisë ka zjarr dhe flakë.

Policia ka ndërhyre kur pa zjarrin tek godina e qeverisë duke hedhur sasi të madhe gazi lotsjellës, duke shpërndarë në pak minuta protestuesit e dhunshëm. Edhe pse u zhvendosën nga godina e qeverisë, protestuesit vijuan të bënin rezistencë, duke u zhvendosur para Ministrisë së Kultures. Pas disa orë protestash të dhunshme, Prishtina iu kthye normalitetit, ndonëse tubi la pas gjurmët e tij.

Marshi protestues i partive opozitare nisi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00. Ndërkohë në Kosovë kanë shkuar edhe protestues nga Tirana.

POLICIA ARRESTON DY PERSONA TË DYSHUAR PËR SULM NDAJ POLICIT RRUGOR
Burime për k.press bëjnë të ditur se në mesin e të arrestuarve të tjerë që u kapën nga policia e Kosovës, kanë qenë dhe dy persona të dyshuar që sulmuan policin e trafikut rrugor të Biblioteka Kombëtare e Kosovës rreth orës 18:00. Lajmin për sulmin ndaj tij e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Në mesin e personave që ishin hedhur në sulm ndaj tij ishin 7-8 persona që dyshohet të kenë qenë nga grupi i protestuesve të sotëm që u përleshën me Policinë e Kosovës.

AMBASADORI BRITANIK: PROTESTA DOMETHËNËSE U NJOLLOS NGA DHUNA
Ambasadori britanik në Kosovë Ruairí O’Connell thotë se protesta e sotme e organizuar nga partitë opozitare për të shprehur pikëpamjet e tyre u njollos nga dhuna. O’Connell u shpreh se dhuna nuk zgjidh probleme dhe pret që kjo të dënohet nga të gjithë. Shumë qytetarët kanë protestuar sot për të shprehur pikëpamjen e tyre. Kjo është e drejta themelore e demokracisë. Është fatkeqe që një protestë domethënës është njollosur nga dhuna. Dhuna gjithmonë shkakton më shumë probleme sesa zgjidh. Shpresoj që liderët politik do ta dënojnë dhunën dhe do të mundohen t’i zgjidhen mosmarrëveshjet me dialog.

AMBASADORI DELAWIE: DHUNA PO KËRCËNON GJITHÇKA QË ËSHTË ARRITUR PAS PAVARËSISË
Ambasadori i Amerikës në Kosovë Greg Delaëie ka komentuar mbi zhvillimet e sotme në Prishtinë, ku u mbajt protesta e organizuar nga tri partitë opozitare, me synim rrëzimin e Qeverisë. Delawie, thotë se dhuna politike e kërcënon demokracinë dhe gjithçka që Kosova ka arritur që nga pavarësia e saj. Ai këto komente i bëri në rrjetin social Twitter.

POLICIA ARRESTON NJË TË MITUR, I GJETI NJË MASKË
Policia e Kosovës ka arrestuar një të mitur, pasi atij i është gjetur një maskë. Arrestimi ka ndodhur pas normalizimit të situatës në kryeqendrën e Kosovës. I mituri është marrë nga dhe është shoqëruar në një prej stacioneve më të afërta policore.

THAÇI: DHUNA E SOTME SULM NDAJ SHBA-VE, BE-SË DHE NATO-S
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka dënuar sot dhunën e ushtruar mes protestuesve dhe policisë kosovare, gjatë protestës që u zhvillua sot në Prishtinë. Nëpërmjet një postimi në “Facebook” Thaçi deklaroi se dhuna e sotme e përsëritur nga partitë opozitare është mesazhi më i keq i mundshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndaj aleatëve si SHBA, NATO dhe BE. “Dhuna e përsëritur sot është atak edhe i mbështetjes së partnerëve të Kosovës: SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s”, ka thënë Thaçi. “Dhuna e sotme e përsëritur nga partitë opozitare është mesazhi më i keq i mundshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kjo dhunë është cenim i rendit kushtetues e ligjor. Është cenim i procesit për liberalizimin e vizave, goditje e re për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe për ardhjen e investitorëve të huaj. Dhuna e përsëritur sot është atak edhe i mbështetjes së partnerëve të Kosovës: SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s. Kjo dhunë opozitare entuziazmon kundërshtarët e konsolidimit të shtetit të Kosovës. HTH”, citohet në mesazhin e tij.

KËSHILLI I SIGURISË KOMBËTARE MBLEDHJE URGJENTE
Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka thirrur mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me gjendjen e krijuar nga protesta e dhunshme e opozitës që ndodhi sot në Prishtinë.
Burime për indeskonline bënë me dije se arsyeja e mbledhjes është situata e krijuar sot ku u sulmuan institucionet dhe policia me koktej molotovi.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet vetëm në raste të emergjencave dhe krizave shtetërore.

PROTESTA E DHUNSHME NË KOSOVË, BE DËNON SHKATËRRIMIN E PRONËS PUBLIKE
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka reaguar në lidhje me ngjarjet e sotme që rrodhën nga protesta e organizuar nga opozita. Në një reagim publik, BE ka dënuar shkatërrimin e pronës publike, ka bërë thirrje për qetësi dhe heqje dorë nga dhuna.

PROTESTUESIT HEDHIN FISHEKZJARRË NË DREJTIM TË POLICISË
Protestuesit, të cilët vijojnë ende të protestojnë kanë hedhur mbrëmjen e sotme fishekzjarrë në drejtim të policisë në rrugën “George Bush”.
Këta të fundit kanë krijuar një kordon në hyrje të sheshit “Zahir Pajaziti” për të mos lejuar rikthimin e tyre në shesh.

VAZHDON AKSIONI I POLICISË PËR SHPËRNDARJE TË PROTESTUESVE
Vazhdon ende aksioni i Policisë për shpërndarjen e protestuesve të dhunshëm.
Sipas K.press, Policia me topa uji po shpërndan protestuesit të cilët tashmë gjenden afër Postës së madhe në lagjen Ulpiana.

POLICIA: 14 PERSONA TË LËNDUAR, MES TYRE 2 GAZETARË
Policia e Kosovës bëri me dije se 14 persona janë lënduar në protestën e sotme të mbajtur nga opozita. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i policisë deklaroi se janë plagosur 10 policë, 2 qytetar dhe 2 gazetarë. Ndërkaq, janë arrestuar deri më tani 24 protestues.

VESELI: KJO NUK ËSHTË KOSOVA QË E DUAN QYTETARËT E SAJ
Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar dhunën përshkallëzuar në protestën e sotme të opozitës. “Protesta e sotme kishte një fillim dinjitoz, me një përfundim dëshpërues. Dhunimi i shtetit në forma të tilla të zjarrvënies së institucioneve entuziazmon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, zhgënjen partnerët ndërkombëtarë të shtetit tonë dhe dëshpëron e frikëson qytetarët që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në këtë vend”, thuhet në reagimin e Veslit. “Sa nuk është bërë vonë duhet reflektuar. Kjo nuk është Kosova që duan qytetarët e saj. Mbështetje Policisë së Kosovës e cila sot dëshmoi një profesionalizëm të nivelit më të lartë në mbrojtjen e institucioneve, jetës dhe pronës së qytetarëve” thuhet në deklaratë.

MEDIAT: 8 POLICË TË LËNDUAR
Së paku 8 policë kanë mbetur të plagosur pas përleshjeve me protestuesit, të cilët tubuan sot përkrah opozitës. Burime të K.Pressi brenda QKU-së bëjnë të ditur se deri më tani në spital po marrin mjekim 8 efektivë, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policët janë lënduar nga hedhja e gurëve, koktej molotovi dhe mjeteve tjera të forta. Nga QKU nuk raportohet se në këtë qendër spitalore është sjellë ndonjë protestues i lënduar.

JAHJAGA: OPOZITA TË DISTANCOHET NGA DHUNA DHE VANDALIZMI I PROTESTUESVE
Përmes një mesazhi në rrjetin sociale “Facebook”, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar pas protestës së opozitës. Jahjaga deklaroi se dënon dhunën e përdorur dhe dëmtimin e pronës publike. “Dënoj ashpër vandalizmin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit, që e kanë për detyrë t’i mbrojnë institucionet e vendit”.

Ky është statusi i plotë i Jahgagës:
Dënoj ashpër vandalizmin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit, që e kanë për detyrë t’i mbrojnë institucionet e vendit. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë nuk duhet të kontestohet nga askush. Por, kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme. Ju apeloj protestuesve të tregojnë përgjegjësi dhe thërras për qetësi, ndërsa organizatorëve të protestës të distancohen nga këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës. Kërkoj nga organet e rendit që t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë individët apo grupet që përshkallëzojnë situatën. E ri përsëris thirrjen time që zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra e vetme për të tejkaluar çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes. Këto zhvillime dhe mungesa e përpjekjeve për të gjetur një mes po na kthejnë në pikën zero dhe po lëndojnë përkrahjen që e gëzojmë në konsolidimin tonë si shtet i pavarur dhe sovran.

GAZ LOTSJELLËS NDAJ PROTESTUESVE
Disa rrugë që lidhen me Teatrit, deri tek ndërtesa e Ministrisë së Arsimit janë bërë arenë përleshjesh mes protestuesve policisë dhe, ndërsa kjo e fundit ka lëshuar ndaj tyre dhe gaz lotsjellës.
Dy autoblinda që po gjuajnë gaz lotsjellës ndaj protestuesve, ndërkohë që nuk po i ndalin qytetarët që të lëvizin lirshëm.

HARADINAJ: TË PAPRANUESHME SJELLJET E DHUNSHME
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëpërmes një komunikate ka thënë se protesta e sotme e mbajtur në Prishtinë, ishte protesta më e madhe e mbajtur që nga paslufta. “Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha përcaktimet politike, sot i thanë jo qeverisë Mustafa. Mesazhet e kësaj proteste ishin më të qartat dhe më të vendosurat se kjo qeveri nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj”, thuhet në komunikatën e AAK-së, duke shtuar se ata falënderojnë qytetarët e Kosovës për angazhimin dhe vendosmërinë që të jenë aktivë.
Në fund ata thonë se “Alenaca do të vazhdojë të jetë e lidhur ngushtë me qytetarin e vendit, në këto procese të rëndësishme për vendin”.

AAK, njëkohësisht shpreh keqardhjen për incidentet që pasuan protestën e sotme. Prandaj, sipas komunikatës, AAK dhe Kryetari Haradinaj, ftojnë të gjithë ata që eventualisht kanë mbetur të përfshirë në incidente të dhunshme, që të tërhiqen sa më parë dhe të mos e rrezikojnë as sigurinë e vetë e as të policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ta zbehin zërin e fuqishëm qytetarë kundër kësa qeverie.
Incidentet e dhunshme janë të papranueshme, po aq sa është e papranueshme edhe sjellja e papërgjegjshme e qeverisë ndaj reagimit qytetar

DISA POLICË TË LËNDUAR, ARRESTOHEN DISA PROTESTUES
Dy policë janë plagosur, pasi janë përfshirë nga flaka e një kokteji molotovi, i cili është hedhur nga protestuesit, të cilët më pas janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare. Policia është vënë në aksion vetëm pasi protestuesit i kanë vënë flakën një këndi të objektit të Qeverisë së Kosovës. Policët kanë arritur të shuajnë zjarrin dhe të evitojnë lëndimet eventuale. Më pas janë arrestuar edhe disa aktivistë të cilët kanë gjuajtur me gurë dhe gjësende tjera të forta në drejtim të policisë, raporton Klan Kosova. Përplasjet janë duke vazhduar ende në sheshin “Zahir Pajaziti”, pasi Policia u detyrua t’i shpërndajë ata protestues që filluan të hedhin koktej molotovi në drejtim të objektit të Qeverisë në sheshin “Skëndërbeu”.

AAK: PROTESTA E SOTME ISHTE MADHËSHTORE
PRISHTINE- AAK thotë se protesta e sotme e mbajtur në Prishtinë, ishte protesta më e madhe e mbajtur që nga paslufta. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha përcaktimet politike, sot i thanë jo qeverisë Mustafa, thuhet në kumtesën e AAK-së. “Mesazhet e kësaj proteste ishin më të qartat dhe më të vendosurat se kjo qeveri nuk mund ta vazhdojë mandatin e saj”. “Ne si parti politike u shprehim falëndërimet më të thella qytetarëve të Kosovës, për angazhimin e tyre dhe për vendosmërinë që të jënë aktiv në vendimet e rëndësishme për vendin”. “Aleanca do të vazhdojë të jetë e lidhur ngushtë me qytetarin e vendit, në këto procese të rëndësishme për vendin”, thotë AAK

I VIHET FLAKA DY AUTOBLINDAVE
Vazhdojnë konfrontimet mes policisë dhe protestuesve. Mësohet se dy autoblindave që forcat e rendit kishin vënën në dispozicion, u është vënë flaka nga koktej Molotovi.

PROTESTUESIT REZISTENCE TEK MINISTRIA E KULTURES, GJUAJNE ME GURE
Protestuesit largohen nga godina e qeverisë dhe i zhvendosin aktet e dhunës para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Turma është duke u ndjekur nga policia drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. Ndonëse disa prej protestuesve janë larguar nga protesta, ka ende të tjerë që gjuajnë gurë dhe koktej molotovi drejt policisë.

SHUHET ZJARRI NË GODINËN E QEVERISË
Është lokalizuar vetëm pas disa minutash zjarri që ra në pjesën e jashtme të godinës së Qeverisë, që u shkaktua nga protestuesit.

PËRFUNDON PROTESTA E OPOZITËS
Ka përfunduar protesta e opozitës, ndërsa vijon ende dhuna e protestuesve me policinë. Edhe pse lideri I lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka shpallur të përfunduar protestën, një numër protestuesish vazhdon të hedhin koktej mollotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, e cika ka marrë flakë. Policia po hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, të cilët tashmë janë larguar.

PËRLESHJE MES PROTESTUESVE DHE POLICISË
Policia e Kosovës ka filluar të lëshoj gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, pasi ata kanë sulmuar objektin e Qeverisë. Protestuesit po ashtu kanë hedhur në drejtim të forcave policore mjete të forta.

NJERËZ TË MASKUAR HEDHIN KOKTEJ MOLOTOVI, ZJARR NË GODINËN E QEVERISË
Në oborrin e ndërtesës së Qeverisë është hedhur edhe koktej Molotovi nga disa njerëz me maska. Sakaq, një pjesë e jashtme e godinës është pushtuar nga flakët, ndërsa policia ka hedhur ndaj protestuesve gaz lotsjellës, për tu larguar nga godina. Më herët, forcat policore nuk ndërhyn për një kohë të gjatë ndaj turmës.

REXHEP SELIMI-PROTESTUESVE: MOS PRISHNI QETËSINË
Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, teksa ka marrë në dorë megafonin u ka bërë thirrje protestuesve që mos të prishin qetësinë. “Kujdestarë, kryeni detyrën tuaj. Mos ta prishim protestën, ta bëjmë më madhështore. Mos gjuani gurë”, ka thënë Selimi.

PROTESTUESIT HEDHIN GURË E SHISHE DREJT OBJEKTIT TË QEVERISË
Protestuesit kanë nisur të gjuajnë me gurë dhe bojë në drejtim të godinës së Qeverisë së Kosovës.
Sakaq, ata kanë hedhur dhe koktej molotovi në drejtim të policisë. Më herët ata kanë hedhur mjete piroteknike, si dhe shishe, në kohën kur po mbante fjalimin deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Sipas mediave kosovare, thuhet se gjërat po dalin jashtë kontrollit. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që po ruajnë rendin po mundohen të mos lejojnë protestuesit të afrohen te Qeveria.

YMERI: ISA DHE HASHIMI S’MUND TË LAJNË BORXHET E TYRE ME KOSOVËN
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri deklaroi gjatë fjalës së tij para protestuesve se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk mund të lajnë borxhet e tyre ndaj Serbisë me territorin e Kosovës.
“205 mijë qytetarë nënshkrues të peticionit i kanë shpallur marrëveshjet të vdekura. Gjykata Kushtetuese më vonë e vërtetoi se Zajednica e përmbys rendin kushtetues. Ata po vazhdojnë me të njëjtën. Po vazhdojnë t’ia rrezikojnë territorin me demarkacion dhe Zajednicë. Gënjyën dhe e shkelën kushtetutën për Zajednicë. I burgosën qytetarët dhe deputetët për Zajednicë e po dëshirojnë ta mbajnë veten në pushtet me Zajednicë. Borxhet e tyre personale Isa dhe Hashimi nuk mund t’i lajnë me territorin e Kosovës.”, pohoi ai.

LIMAJ: QEVERIA NUK MBAHET ME POLICI
Ndërsa Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë para mijëra protestuesve se Kosova është bashkuar në Prishtinë për t’u thënë shkelësve të Kushtetutës, që nuk mund të qeverisni më shtetin e Kosovës. Limaj ka deklaruar se nuk ka shtet në Evropë që pranon qeverisjen nga një Qeveri që ka shkelur Kushtetutën, të cilët për muaj të tërë kanë tentuar ta përlajnë qytetarët e Kosovës. “Qeveria nëse nuk e ka kuptuar deri mbrëmë se çfarë ka bërë, sot në sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skenderbe ka ra Qeveria e Kosovës, ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të zgjidhet kriza politike”, tha Limaj.

AAK: JEMI 70 MIJE NE SHESH
AAK njofton se sot në Prishtinë, në protestën më të madhe të mbajtur që nga paslufta, po marrin pjesë mbi 70 mijë qytetarë. Për të parën herë janë mbushur sheshet Skenderbeu, Nënë Tereza dhe Zahir Pajaziti si dhe rrugët përreth, ndërkohë që akoma nuk ka përfunduar ardhja e protestuesve. Protesta ka një kërkesë themelore, dorëheqjen e qeverisë që ka shkelur kushtetutën. Protestuesit po brohorasin parulla kundër marrëveshjeve dhe kundër qeverisë. Ata në duar kanë flamuj kombëtarë si dhe flamuj të shteteve përendimore! Moto e kësaj proteste, që është e dyta e madhe në Prishtinë, është “Për shtet me sovranitet, kundër qeverisë antikushtetuese”.

HARADINAJ: KOHA TË IKIN MUSTAFA E THAÇI
Dy liderët e opozitës, Visar Ymeri dhe Ramush Haradinaj kanë thënë se kjo protestë është argumenti më i madh se tashmë ka ardhur koha që kjo qeveri të largohet nga qeverisja.

“Kjo është një porosi e qartë që ka ardhur koha që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi të shkojnë”, ka thënë Ramush Haradinaj. Ndërkohë Visar Ymeri ka shtuar se qytetarët sot po vërtetojnë se nuk pajtohen me këto marrëveshje dhe as me shkeljen e kushtetutës.
FJALA E PLOTË
Të nderuar qytetarë, ngado që keni ardhë, faleminderit. Kjo është dita juaj. Më në fund erdhi. Me meritë. Urime.
Është bërë shumë gjatë dhe u bënë shumë herë që këta që po qeverisin e mashtruan qytetarin. E thirrën qytetarin që t’ju besojë, që ti mbrojë nga armiku, do të thotë nga njëri-tjetri dhe e armiqësuan qytetarin, në kohët më të vështira për popullin tonë, duke i shkaktuar plagë të rënda vendit dhe shoqërisë. Armiqësi e cila u shfrytëzua nga të gjithë, kundër nesh.
Këta i thanë njëri-tjetrit vëlla, dhe u bënë bashkë vetëm në kohë të vështira për këta vet. Ju kujtohet 14 shkurti 2014, kur Isa dhe Hashimi i përbinë të gjitha ato me të cilat na kishin armiqësuar ma herët dhe u bënë bashkë për vete, që të shpëtojnë edhe ndonjë ditë nga qytetari, nga populli.
Por, edhe ditët e këtyre po perëndojnë. Po vjen dita juaj qytetarë. Po vjen dita juaj atdhetarë, dita juaj të rinj e të reja. E drejta po fiton.
Këtyre sot iu thonë JO pikërisht ata të cilët u mashtruan gjatë prej tyre, atdhetari – në vlerat e të cilit u thirrën, intelektuali, i riu dhe e reja që e kuptuan mashtrimin e tyre.
Këtyre sot, të gjithë ne iu themi: JO – SHKONI.
Në ditët e fundit të tyre, për ta shpëtuar lëkurën e vet edhe ndonjë ditë, e treguan dhe po e tregojnë egërsinë e tyre duke arrestuar e shtypur opozitën, e cila iu tha jo këtyre. I tha Jo – korrupsionit që e ka varfëruar Kosovën,
JO – Kosovës pa ushtrinë e vet, JO “zajednicës” që na e bjen Serbinë në Kosovë, JO – demarkacionit, që nga Çakorri e bjen kufirin në Kuqishtë dhe nga Kulla e Zhlepit në Savino Vodë.
Këta po e humbin fuqinë, po e humbin kontrollin, këta po shkojnë, e bashkë me ta edhe korrupsioni, edhe “zajednica” edhe demarkacioni. Gjykata Kushtetuese ua konfirmoi këtë.
Këta që dikur na armiqsonin ndërmjet vete e që populli e ka kuptu hilen e tyre, e që nuk po munden me e mashtru më qytetarin e vendit, tani po duan me e tutë bashkësinë ndërkombëtare prej opozitës, dhe në panikë po shkojnë te miqt, e besa edhe te armiqtë me iu thanë se Kosova është në rrezik nga opozita.
Por miqtë e dinë të vërtetën për Kosovën dhe e njohin Kosovën e vërtetë. E Kosova e vërtetë nuk janë këta mashtrues.
Po mundohen me i frikësuar të gjithë, edhe komunitete etnike në Kosovë, por nuk po ju bën punë më. Të gjithë e kanë kuptuar hilen e tyre.
Edhe pse zor është me e ba Kosovën, Kosova do të fillojë me u ba kur të shkojnë këta.
Shkoni, që të bëhet Kosova,
Shkoni, që të ndalet korrupsioni,
Shkoni, që të ndodhë zhvillimi ekonomik,
Shkoni, që të kthehet Trepça…
Shkoni, që të mos i mbushim kampet e azilit nëpër Evropë,
Shkoni, që të kemi Ushtrinë tonë,
Shkoni, që t’i kthejmë kufijtë tanë,
Shkoni, që të kemi shtet me sovranitet!
Isë dhe Hashim – shkoni, se Kosova nuk ju duron ma

NIS PROTESTA E OPOZITES
Po mbahet sot në Prishtinë protesta e paralajmëruar prej javësh nga tri partitë opozitare për anulimin e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ata që opozita konsideron ta kenë shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, disa herë radhazi, nëpërmjet konferencave për shtyp, prononcimeve për mediat e intervistave, kanë paralajmëruar se 9 janari shënon fillimin e një serie protestash deri në rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

PLANI I POLICISË: TA GATSHËM PËR ARRESTIMIN E PROTESTUESVE TË DHUNSHËM

Urdhri Operativ i shpërndarë më parë udhëheqësve të Policisë së Kosovës, për protestën e sotme që është organizuar nga partitë opozitare – një kopje të të cilit e ka siguruar Koha.net – përmban informacione dhe paralajmërime për atë se çka mund të ndodhë. Ata parashikojnë edhe arrestime.

Sipas Urdhrit Operativ, “nëse situata eskalon, tubimi, protesta, demonstrata eventuale eskalon në protestë të dhunshme të vogla, të mesme apo të mëdhaja, dhe me ç’rast rendi, qetësia dhe siguria publike do të prishet, rrezikohet jeta dhe prona publike ose private, atëherë PK-ja duhet të veprojë sipas autorizimeve të përcaktuara me Ligj dhe ta rikthejë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, gjithmonë duke përdorur metoda dhe mjete proporcianle të nevojshme për kthim në gjendjen normale.

“Protesta është organizuar nga tri subjektet opozitare, pas organizimeve në disa qytete të Republikës së Kosovës, në të cilat, nuk ka pasur pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe përkrahësve. Një pikë tjetër thotë se liderët opozitarë në deklarimet e tyre publike kanë thënë se Qeveria duhet të tërhiqet ose këtë do ta bëjnë me dhunë. Në këtë urdhër shkruan edhe deklarata e liderit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, që ka thënë se “opozita do të përdorë të gjitha format dhe mjetet e përdorura deri tash por edhe ato që nuk janë përdorur deri tash”, thuhet në këtë plan.

“Në rast të angazhimit të ekipeve të arrestimeve, të njëjtit duhet të jenë të pajisur me të gjitha dokumentet/format e duhura ligjore për arrestimin e personave që bien ndesh me Ligjet pozitive të RKS-së, ku çdo arrestim duhet të faktohet nga zyrtari policor që e realizon arrestimin që nga moment i arrestimit e deri në dorëzimin e tyre tek Qendra e Ndalimit”, thuhet më tej aty.

Ndër të tjera urdhri përmban edhe ofrimin e sigurisë para, gjatë e deri në shpërndarje të masës në rrugë kryesore dhe rrugë të rendit të dytë që çojnë në lokacionin e mbajtjes së protestës.

HARADINAJ, LIMAJ E YMERI I BASHKOHEN PROTESTUESVE
Drejtuesit e Nisma-s për Kosovën, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një pjesë e drejtuesve të Vetëvendosjes iu kanë bashkuar mijëra protestuesve te Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Aty kanë arritur, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë të subjekteve opozitare. Një numër i madh i protestuesve po qëndrojnë edhe në sheshet e kryeqytetit.

AMBASADA AMERIKANE FTON QYTETARËT E SAJ TË EVITOJNË SHESHET E PRISHTINËS
Ambasada amerikane në Prishtinë po fton qytetarët e saj për kujdes të shtuar sot, për shkak të protestës së opozitës. Ky paralajmërim është bërë nëpërmjet një mesazhi, të cilin e ka siguruar lajmi.net.

“Ambasada amerikane në Prishtinë informon qytetarët amerikanë se protestat priten të marrin pjesë në qendër të Prishtinës më 9 janar, përgjatë sheshit Nëna Terezë dhe afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Numri i pjesëmarrësve nuk është i ditur. Personeli i Ambasadës është i ndaluar që të shkojë nga Sheshi Nëna Terezë, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës deri në Kuvendin e Kosovës, nga ora 1 pasdite deri në përfundimin e aktiviteteve në këtë zonë”, thuhet në njoftim.

DREJTORI I KUFIRIT NË MORINË: NUK KA PASUR DHUNË, KANË KALUAR 2 AUTOBUSË
Pas denoncimit të Vetëvendosjes se janë dhunuar në kufi protestuesit nga Tirana ka reaguar Drejtori i Kufirit në Morinë, Ndue Ndoj. Ai ka mohuar se ka pasur dhunë, duke u shprehur se ka pasur raste kthimi për mungesë dokumenti.

“Nuk është e vërtetë se është ushtruar dhunë. Ka pasur raste kthimi për mungesë dokumenti. Në kufi kanë kaluar dy autobusë me protestues”, ka thënë Ndoj.

protestues nga Tirana

LIBURN ALIU: POLICIA PO I RREH PROTESTUESIT NGA TIRANA
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, ka thënë se policia e Kosovës është duke i rrahur protestuesit që po vijnë nga Tirana. “Në pikën kufitare Morinë, policia i ka ndaluar dhe po i rreh protestuesit nga Tirana”, ka shkruar Aliu në një postim në Facebook.

Protestuesit kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” ku edhe do të mbahen fjalimet e liderëve. Ndonëse, grumbullimi i protestuesve është paraparë të bëhet te Biblioteka Kombëtare, një numër sysh tashmë janë grumbulluar në Sheshin “Skenderbeu”.

POLICIA E KOSOVËS: PËRMBAHUNI NGA VEPRIMET E DHUNSHME
Policia Kosovës tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe ka vënë në funksion planin operativ, për ruajtjen e sigurisë publike, me rastin e protestës së thirrur nga partitë opozitare, që pritet të mbahet sot.

Në rrugët e Prishtinës tashmë janë të dukshme forcat e shtuara të Policisë së Kosovës, të cilat patrullojnë nëpër qytet.

Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës, është pjesë planit operativ të Policisë së Kosovës, me rastin e protestës së paralajmëruar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se qëllimi strategjik i planit operativ të policisë është siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatimi i ligjit.

Ai thekson se Policia e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe njëkohësisht duke e njohur të drejtën kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve për të protestuar.

“Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste. PK-ja njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, deklaron Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që dalin në protestë, që të protestojnë pa i shkelur ligjet.

“Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe te zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”, shton Kelani.

AAK: POLICIA PO I PENGON PROTESTUESIT
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë e Ramush Haradinaj ka deklaruar se policia po pengon protestuesit të mblidhen. Në një deklaratë, AAK thotë se Policia e Kosovës, ka filluar t’i ndalojë qytetarët që janë nisur për protestë pa asnjë arsye.

“Ata kanë ndaluar kolonën me makina e autobusë në udhëkryqin e Klinës, gjoja për të legjitimuar qytetarët. I bëjmë thirrje policisë së Kosovës që të mos ndërhyjë me arsyetime banale, dhe të lejojë qytetarët që të qarkullojnë të lirë dhe të mbërrijnë në protestë, sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligj, dhe policia nuk mund ta shkelë atë. Është moment i ndjeshëm dhe policia duhet t’i kontribuojë mbarëvajtjes së protestës”, deklaron AAK.
(m.k/ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: