Emisioni “Pikat mbi i” ditën e sotme trajtoi protestën e opozitës, e cila është paralajmëruar për ditën e nesërme përpara kryeministrisë.

Analisti Artur Zheji tha se protesta është një urgjencë për të treguar muskujt e lidershipit të ri të PD-së, ndërsa sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, pakënaqësitë e qytetarëve janë aq të mëdha saqë nuk ka arsye, përfshi edhe vapën, për ti ndalur.

Çfarë prisni nga kjo protestë?

Zheji: Jam i mendimit që çdo protestë është e shëndetshme për Shqipërinë, është e shëndetshme për qeverinë sepse kufizon arrogancën e saj. Por edhe se njerëzit që kuptojnë që ka një zë opozitar. Nuk besoj se protesta do të sjellë përmbysjen e qeverisë. Nuk e di pse është zgjedhur kjo vapë e tmerrshme. Është një urgjencë për të treguar muskujt e lidershipit të ri të PD-së. Eshtë gjithashtu një protestë shumë e fortë në Shkup, por nuk do të doja që kjo e Tiranës ti asociohej asaj të Shkupit. Ajo e Shkupit është anti europianiste. Shoh asociim për shkak të pozitës gjeografike. Unë nuk jam dakord me termin ‘popull opozitar’. Nuk ka edhe popull opozitar edhe popull ndryshe. Ka pasur disa paralajmërime ndaj policisë dhe ka qenë me tone kërcënuese.

Pse u zgjodh mesi i vapës për të protestuar?

Noka: Slogani “Shqipëria në rrezik” ka një domethënie. Ne jemi para një situate të rrezikshme. Vendi ynë ndodhet në një rrezik. Ky rrezik Shqipërisë nuk i vjen nga jashtë, factor apo actor i jashtëm, i vjen nga qeveria dhe nga qeverisja. Kjo është A-ja dhe ZH-ja e protestës. Shqiptarët sot vidhen nga mëngjesi në darkë nga qeverisja e tyre. U pamundësohet jetesa në vendin e tyre. Shqiptarët sot janë më të varfër se kurrë. Kush është fajtor? Është qeveria e Rilindjes. Shqiptarët sot janë me shpresë të vrarë. Ka edhe factorë të tjerë. Sot edhe Ballkani i Hapur po tregon që është një kërcënim serioz për ta bërë Shqipërinë pjesë të vogël të Jugosllavisë.

Do keni impact duke protestuar në një muaj kaq të nxehtë?

Noka: Këtu ka një të nxehtë saharian. Temperaturat janë të larta, por në shpirtin e çdo shqiptari ka një flakë proteste më të nxehtë se temperatura. Po iu përmend vetëm 3 skandalet që keni nxjerrë ju: 3 pleq që njëri është punëtor krahu, tjetra është pa shtëpi 90 vjeç, tjetrin e mban vëllai me bukë, këta na dalin biznesmenë të mëdhenj që qarkullojmë 30 milionë euro. Këto janë të gjitha skema kriminale, mafioze, korruptive për të rrjepur shqiptarët. Çdokush ka një zjarr proteste brenda tij që sfidon çdo lloj temperature. Shqiptarët nuk e kanë luksin të thonë se do protestojnë kur është freskët dhe jo kur është vapë. Ka shumë që thonë është vapë dhe plazh. Studimi i fundit i Barometrit tregoi që 60% e familjeve shqiptare nuk e kanë mundësinë ta mendojnë plazhin e jo më të shkojnë. Plazhet e jugut janë shkretëtirë. Në një situatë të tillë çdo shqiptar duhet të shohë përpara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb