TIRANË- Demokratët kanë nisur përgatitjet për pjesëmarrjen sa më masive në protestën e 17 dhjetorit. News24 ka mësuar se deputetët e qarkut të Tiranës do të angazhohen intensivisht në organizimin e së enjtes para parlamentit. Ky angazhim do imponojë mungesën e deputetëve demokratë në punimet e Kuvendit deri ditën e protestës. Të njëjtat burime sqarojnë se përveç deputetëve të Tiranës që do jenë të angazhuar në aktivitetet për protestën e datës 17, të gjithë deputetët e tjerë si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare, do marrin pjesë dhe do jenë aktivë në punimet e Kuvendit.

Në kuadër të organizimit të protestës së radhës kryetari Lulzim Basha këtë fundjavë zhvilloi një mbledhje me krerët e degëve në Tiranë të cilët do asistohen nga deputetët në përgatitjet e pjesëmarrjes sa më masive. Këtë të enjte Kuvendi shqyrton projektbuxhetin e vitit 2016. Demokratët kanë vendosur të mos paraqesin amendamente pasi e cilësojnë projektin e qeverise shkatërrues për ekonominë. Beteja e demokratëve këtë të enjte do zhvillohet brenda dhe jashtë Parlamentit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: