Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Demokratët do të rrethojnë selinë e parlamentit ditën e enjte, duke protestuar njëherësh brenda dhe jashtë godinës së Kuvendit. Deputetët do të hyjnë në seancën plenare ku do të diskutohet nen për nen buxheti i shtetit për vitin 2016, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë “Rama” dhe krijimin e një qeverie teknike. Në të njëjtën kohë do të protestohet para godinës së Kuvendit, ku protestuesit do të kenë mundësi të dëgjojnë diskutimet e demokratëve në seancën plenare, njësoj si në protestën e PD-së, më 15 maj 2014. Synohet një protestë masive.

Një ekran i madh do të vihet para dyerve të parlamentit, ndërkohë që deputetët demokratë grupe-grupe do të dalin nga seanca dhe do të mbështesin protestën. Peshën kryesore të fjalimeve do ta mbajë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Edhe këtë të enjte, protestuesit e PD-së kanë parashikuar të tregojnë revoltën ndaj qeverisë, përmes akteve demonstrative siç është hedhja e vezëve, ndërkohë që një grup të rinjsh të PD-së do të angazhohen për të shmangur dhunën.

Prej disa ditësh deputetët demokratë të Tiranës janë në terren për të organizuar protestën e 17 Dhjetorit para parlamentit, ndërsa më herët një pjesë e mirë e tyre kanë ndjekur edhe punimet në komisionet e kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, Sekretari Organizativ, Enno Bozdo dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Fatbardh Kadilli do të kujdesen për koordinimin e protestës dhe daljeve të deputetëve në mbështetje të saj.

Nënkryetari demokrat, Edi Paloka shpjegoi dje se” do të ketë një ndërthurje të aktivitetit parlamentar dhe protestës, që do të shoqërojë votimin e projektbuxhetit të shtetit dhe ligjeve të tjera të rëndësishme”. Ai tha se “protesta do të jetë një kundërshtim i pr/buxhetit dhe paketës fiskale 2016”, që sipas tij “do varfërojë më tej shqiptarët, por jo qeveritarët”.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi ditën e shtunë drejtuesit e degëve të Tiranës dhe deputetët e këtij qarku për një protestë sa më masive ditën e enjte brenda dhe jashtë parlamentit. Kreu demokrat kërkoi angazhim maksimal nga deputetët dhe strukturat e Tiranës. Basha bëri të ditur se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë së majtë.

Sipas tij, protesta më e afërt që po organizohet është të enjten në datën 17 dhjetor përpara Kuvendit dhe në qendër sipas tij, janë kundërshtimet ndaj buxhetit 2016, taksave dhe pakënaqësitë ekonomike në vend. Kreu i opozitës deklaroi se protesta e 8 dhjetorit ishte vetëm fillimi dhe se sezoni i protestave do të vazhdojë për të larguar qeverinë aktuale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mësohet se nuk ka vendim politik për bojkotin e Kuvendit, por vetëm një shkëputje 3-ditore të deputetëve nga komisionet parlamentare, që do të thotë se prezenca e përfaqësuesve të opozitës do të jetë e reduktuar. Partia Demokratike pret që mosbindjen civile ta nisin qytetarët. Mosbindja civile paqësore nënkupton refuzimin e shlyerjes së taksave dhe tatimeve apo dhe refuzimi i pagesës së energjisë elektrike dhe tarifës së ujit të pijshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: