Në emisionin “Pikat mbi I” analisti Fatos Lubonja foli për protestën e pedagogëve në vend ku tha se kjo ka të bëjë me një dramë të madhe në vend, dhe se kryeministri nuk i llogarit fare personat e arsimuar.

Nga ana tjetër gazetari dhe analisti Artur Zheji tha se protesta ndodh sepse nuk ka para në fondin e shtetit, ndërsa deklaroi se kjo do të jetë një betejë e vërtetë dhe se më pas do të përfshihen patronazhistët për të ndaluar protestën.

Ai shtoi se protesta mund të fitojë pasi është popullore dhe jo politike, dhe nëse përfshihen aktorët e opozitës do të jetë edhe më e vështirë.

Lubonja:

Protesta ka të bëjë me një dramë të madhe. Po prodhodhen analfabetë funksionalë. T’i japësh dinjitet pedagogut do të thotë më shumë se rroga. Këta po kërkojnë rrogat e Kosovës e Maqedonisë, po ta krahasosh me Prishtinën e Shkupin do thuash se këtu po ndërtohet Europa, por pedagogët paguhen më pak se këto vende. Arsimi publik bazohet mbi të drejtë e arsimimit në kushtetutë. Kryeministri thotë ça janë këto shkolla universitete, na duhen shkolla profesionale, po nuk duhet të kemi ne biologë e matematicienë në vend. Kjo kërkon mësues shumë të mirë e specialist. Kjo është një neglizhim, këtu boll të jesh trafikant droge, quhesh biznesmen nesër dhe të nderojnë të gjithë. Nuk i ka fare në defter njerëzit me shkollë kryeministri. Autonomia ka të bëjë edhe me atë që vendos qeveria, në këtë aspekt ky nuk respekton asnjë.

Zheji:

Kjo ndodh sepse nuk ka para, aq më të ditur të jenë subjektet nuk e votojnë qeverinë. Nuk bëhen dele pedagogët, ndërsa pensionistët mund ta besojnë qevrinë dhe presin ndonjë qindarkë. Mendoj se do jetë betejë e vërtetë, Kur Rama të shohë veten në rrezik do kapen krerët e protestës nga patronazhistët një nga një. Pastaj do kapin familjet e profesorëve një nga një, do shohin partnerët e tyre nëse punojnë në shtet e me radhë.

Protesta fiton nëse nuk ndahen sepse do jetë popullore dhe jo politike. Nëse futen aktorët e opozitës që edhe ata i kanë lënë në pikë të hallit e shoh të vështirë. Kjo protestë i bën nder pedagogëve.

Këtu falsifikimi zë rrënjë që në klasat e para fillore, po prodhohet një brez që do jetë mjerim i vetes së vetë që kërkon vetëm një letër që tregon se ka studiuar. Autonomia është një faktor që mund ta kalosh arsimin publik në atë privat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb